I akuzuar për zbulim të sekretit hetimor dhe korrupsion, GJKKO dënon me 2 vite e 8 muaj burg ish-oficerin e policisë

Nga D V
704 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot fajtor ish-oficerin e policisë, Igli Haxhiaj, për tri vepra penale, duke e dënuar përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte paraqitur në gjykatë kërkesën për gjykimin e Haxhiajt, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Çështja u shqyrtua gjykimi të shkurtuar. Në përfundim të procesit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka, vendosi deklarimin fajtor të Haxhiajt për të tri akuzat.

Për veprën penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, gjykata e dënoi me 2 vjet burgim. Për “Korrupsionin pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, ai u dënua me 3 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për “Shpërdorim të detyrës” u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Gjykata bashkoi dënimet dhe caktoi një dënim të vetëm prej 4 vitesh burgim. Më pas, për shkak të gjykimit të shkurtuar, Haxhiaj përfitoi uljen me një të tretën e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër