Tiranë, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi reformën territoriale të vitit 2014 si një “antireformë”, duke theksuar se ajo ka ndikuar në shpopullimin e zonave rurale dhe në përkeqësimin e shërbimeve për komunitetet lokale.
Gjatë një konference për mediet sot, Berisha tha se reduktimi i njësive të qeverisjes vendore nga 410 komuna e bashki në 61 bashki solli humbjen e shërbimeve dhe të përfaqësimit të drejtpërdrejtë për një pjesë të madhe të popullsisë.
Sipas Berishës, reforma ka ndikuar negativisht në zhvillimin e Shqipërisë rurale, duke frenuar investimet dhe duke shtuar emigracionin. Berisha tha se në shumë ish-komuna nuk janë kryer investime që prej vitit 2013, duke përmendur si shembuj Shëngjergjin, Baldushkun, Prezën dhe Ndroqin.
“Antireforma territoriale e vitit 2014 u faktua në përfundimtare si një Levë Arkimedi për shpopullimin e Shqipërisë. Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale, mori, dhe në tërësi Shqipëria, pasi pa Shqipëri rurale të zhvilluar nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar. Mbi 45 për qind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj. Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te procesi i rishikimit të hartës territoriale, duke deklaruar se qeveria synon të reduktojë numrin e bashkive nga 61, në 46. Sipas tij, një veprim i tillë do të thellonte problemet e komuniteteve lokale dhe do të nxiste më tej shpopullimin.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet hartimin e një reforme të re territoriale, të cilën e konsideroi të domosdoshme për forcimin e qeverisjes vendore dhe krijimin e kushteve për zhvillimin dhe ripopullimin e zonave rurale.
Sipas tij mazhoranca tërhoq në mënyrë të njëanshme nga procesi i konsultimeve për reformën territoriale, pasi konstatoi pakënaqësi të gjerë ndaj reformës ekzistuese.
“E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës. Në vendin që 80 për qind të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi, etj.”, tha ai.
