Shpëtim apo zhgënjim? De Bruyne dhe Lukaku përballë momentit vendimtar te Napoli

Nga D. V.
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romelu Lukaku dhe Kevin De Bruyne do t’i bashkohen së shpejti Napolit për pjesën e dytë të përgatitjeve para sezonit të ri, por te klubi italian ekzistojnë dyshime të mëdha për ndikimin që dy yjet belgë mund të kenë nën drejtimin e Massimiliano Allegrit.

Dy futbollistët, që prej vitesh kanë qenë ndër emrat më të mëdhenj të futbollit evropian, po përballen me një fazë delikate të karrierës së tyre, pasi mosha dhe lëndimet kanë ndikuar dukshëm në formën e tyre.

Sezoni 2025/26 ishte i vështirë për të dy. De Bruyne pësoi një lëndim serioz muskulor në fund të tetorit dhe vendosi t’i nënshtrohej operacionit, ndërsa Lukaku u lëndua që në mesin e muajit gusht dhe zgjodhi trajtim konservativ, por nuk arriti të rikuperohej plotësisht gjatë sezonit.

Edhe paraqitjet e tyre në Kupën e Botës nuk bindën. De Bruyne u kritikua për mungesën e ritmit dhe energjisë, ndërsa Lukaku pati vetëm disa momente të mira falë instinktit të tij si golashënues.

Të dy kanë kontrata me Napolin deri më 30 qershor 2027, por e ardhmja e tyre mbetet e paqartë. Së bashku, ata i kushtojnë klubit më shumë se 20 milionë euro bruto në vit, një shifër e konsiderueshme për një klub që funksionon mbi baza të vetëfinancimit.

Në moshën 35-vjeçare, De Bruyne nuk pritet ta ketë të lehtë të përshtatet me stilin e Allegrit. Nëse sezonin e kaluar nuk arriti të shkëlqente në skemën 3-4-2-1 të Antonio Contes, tani rrezikon të ketë edhe më pak ndikim në një skuadër që pritet të mbështetet te një organizim më defensiv.

Situata e Lukakut duket edhe më e komplikuar. Pas një sezoni të mbushur me lëndime, sulmuesi belg ka humbur vendin në hierarkinë e skuadrës, me Rasmus Hojlund që tashmë shihet si zgjedhja e parë në repartin ofensiv.

Sipas raportimeve, “Big Rom” nuk dëshiron të ketë rolin e zëvendësuesit të danezit, gjë që mund ta shtyjë të kërkojë largimin nga Napoli.

Megjithatë, deri tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete për të. Një rikthim te Anderlechti është përmendur si mundësi emocionale, ndërsa interesim nuk ka pasur as nga Arabia Saudite apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sezoni i ri mund të jetë vendimtar për dy ikonat belge, të cilat kërkojnë të dëshmojnë se ende mund të bëjnë diferencën në nivelin më të lartë të futbollit evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër