Shkup, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese, i udhëhequr nga kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, realizoi një vizitë bilaterale me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës në periudhën nga 22 deri më 25 nëntor 2026.
Në kuadër të vizitës, kryetarët e dy gjykatave, Darko Kostadinovski dhe Mirsad Qeman, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi.
Me Memorandumin riafirmohen marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy gjykatave, si dhe krijohet një kornizë për intensifikimin e bashkëpunimit të ardhshëm përmes shkëmbimit të informatave profesionale dhe praktikës kushtetuese-gjyqësore, organizimit të takimeve të përbashkëta profesionale, seminareve dhe konferencave, si dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të ndërsjellë.
U theksua se Memorandumi paraqet shprehje të përkushtimit të përbashkët të dy gjykatave kushtetuese për zhvillimin e marrëdhënieve partnere të bazuara në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim profesional dhe shkëmbim të përvojave, me respektim të plotë të pavarësisë së tyre kushtetuese dhe institucionale.
Diskutimi profesional, që i parapriu nënshkrimit të Memorandumit, u fokusua në tri çështje kyçe: rolin dhe kompetencat e gjykatave kushtetuese, pavarësinë dhe autonominë e tyre, si dhe respektimin dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave kushtetuese. Pjesë e diskutimit ishin edhe drejtuesit e sektorëve në Zyrën e Regjistrarit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.
Në takim u theksua se bashkëpunimi ndërmjet dy gjykatave kushtetuese përbën një kontribut të rëndësishëm për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, sundimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut përbëhej nga kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, gjyqtaret Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, Fatmir Skender dhe Meri Dika-Gjorgjievska, sekretarja e përgjithshme Violeta Gjorgjievska dhe këshilltarja e pavarur për çështje protokollare Simona Gerasimova-Jovanovska.
Në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, delegacioni u prit nga kryetari Mirsad Qeman, nënkryetarja Valerija Galiq, gjyqtarët Marin Vukoja dhe Larisa Veliq, sekretarja e përgjithshme Natasha Vukoviq dhe regjistrarja Erda Zaçiragiq.
