Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Komuna e Gjorçe Petrovit fillon realizimin e projektit për instalimin e sistemeve fotovoltaike në çatitë e të gjitha shtatë shkollave fillore komunale, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Nga Komuna informojnë se bëhet fjalë për projektin e parë të këtij lloji në Maqedoni që do të realizohet përmes modelit të partneritetit publik‑privat. Projekti nuk do të paraqesë barrë financiare shtesë për buxhetin komunal, ndërsa sipas modelit të dakorduar, Komuna e Gjorçe Petrovit do të marrë 18 për qind të të ardhurave që do të realizohen nga energjia elektrike e prodhuar.
Me vendosjen e paneleve solare, shkollat do të prodhojnë energji të pastër, do të përmirësohet efikasiteti i tyre energjetik dhe do të krijohet një burim i ri të ardhurash që do të investohen në projekte me interes për qytetarët.
Nga vetëqeverisja lokale theksojnë se projekti do të kontribuojë edhe në uljen e emetimeve të gazeve të dëmshme, si dhe në përdorimin më të madh të burimeve të rinovueshme të energjisë, në përputhje me standardet bashkëkohore evropiane për zhvillim të qëndrueshëm.
Me këtë investim, Komuna e Gjorçe Petrovit konfirmon angazhimin e saj për zbatimin e zgjidhjeve inovative, menaxhimin racional të burimeve publike dhe përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore.
