Rritja e çmimeve po ndryshon jetën e qytetarëve: Kursejnë në ushqim, heqin dorë nga pushimet dhe daljet

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 nëntor Zhurnal.mk – Rritja e çmimeve nuk ndikon vetëm në atë që blejnë qytetarët, por edhe në shoqërimin e tyre, marrëdhëniet familjare dhe planet për të ardhmen. Në një anketë të realizuar nga 16 deri më 20 nëntor 2026, 17 nga gjithsej 22 të anketuar janë përgjigjur se familjet e tyre e kanë më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazë mujore krahasuar me një vit më parë. Nëntë prej tyre kanë deklaruar se gjendja është shumë më e vështirë, ndërsa tetë se është pak më e vështirë.

Anketa nuk është përfaqësuese për të gjithë popullsinë, por tregon se si presioni financiar po ndryshon përditshmërinë e një pjese të qytetarëve, duke i detyruar në disa raste të heqin dorë edhe nga nevojat themelore.

Ushqimi dhe produktet bazë janë shpenzimet që përmenden më shpesh. Nga 21 të anketuar që iu përgjigjën kësaj pyetjeje, 20 përmendën ushqimin, 13 energjinë elektrike, ujin dhe ngrohjen, ndërsa 11 karburantin dhe transportin.

Madje, 21 nga gjithsej 22 të anketuar deklaruan se ndonjëherë ose shpesh kanë blerë produkte më të lira në vend të atyre që zakonisht përdorin. Nëntë prej tyre u përgjigjën se për shkak të shpenzimeve ndonjëherë ose shpesh kanë blerë më pak ushqim apo kanë anashkaluar vaktet, ndërsa shtatë kanë shtyrë kontrollet mjekësore ose blerjen e barnave.

Kufizimet financiare po ndikojnë edhe në kohën e lirë. Nëntëmbëdhjetë të anketuar kanë deklaruar se ndonjëherë ose shpesh i kanë reduktuar daljet dhe vizitat në restorante, 14 kanë hequr dorë nga pushimet ose udhëtimet, ndërsa po aq kanë ulur shpenzimet për festime dhe tubime familjare.

Njëri nga pjesëmarrësit si ndryshimin më të madh ka përmendur reduktimin e daljeve, një tjetër ka deklaruar se është detyruar të punojë në një punë shtesë, ndërsa një i tretë ka shpjeguar se blen produkte bazë gjatë ofertave dhe shmang disa aktivitete shtëpiake kur energjia elektrike është më e shtrenjtë.

Profesoresha Jasna Baçovska Nediq, e cila ligjëron sociologjinë e së drejtës në Fakultetin Juridik „Justiniani i Parë“, shpjegon se rritja e çmimeve mund të krijojë ndarje jo vetëm mes të pasurve dhe të varfërve, por edhe mes njerëzve që mund të përballojnë një jetë të parashikueshme dhe atyre që vazhdimisht detyrohen të heqin dorë nga diçka.

Sipas saj, pasiguria ekonomike po prek gradualisht edhe shtresën e mesme, pasi të ardhurat e rregullta nuk nënkuptojnë gjithmonë mundësi për të kursyer, për të përballuar shpenzime të paplanifikuara apo për të realizuar aktivitetet e zakonshme familjare.

„Nuk do të thosha se këto zakone zhduken plotësisht, por pa dyshim ndryshojnë formën e tyre“, thotë Baçovska Nediq.

Ajo thekson se festimet familjare, dasmat dhe takimet me miqtë kanë një rëndësi që shkon përtej argëtimit. Kur shpenzimet rriten, njerëzit organizojnë festa më të vogla, dalin më rrallë ose zgjedhin mënyra më të lira për t’u shoqëruar.

Ndonjëherë, pas refuzimit të ftesave fshihet sikleti financiar, për të cilin njerëzit nuk dëshirojnë të flasin publikisht. Kjo mund të çojë në izolim dhe ndjenjën e përjashtimit nga shoqëria. Profesoresha thekson se duhet bërë dallimi mes thjeshtimit vullnetar të mënyrës së jetesës dhe heqjes dorë nga aktivitetet për shkak të mungesës së parave.

Presioni financiar ndihet edhe në aspektin psikologjik. Gjashtëmbëdhjetë të anketuar kanë deklaruar se ndonjëherë ose shpesh përjetojnë stres apo shqetësim për shkak të parave, 14 ndihen të pasigurt kur mendojnë për të ardhmen, ndërsa nga 13 pjesëmarrës kanë raportuar frikën se nuk do të kenë mjaftueshëm para për nevojat themelore dhe ndjenjën e fajit kur shpenzojnë për kënaqësitë personale.

Dhjetë të anketuar janë përgjigjur se ndonjëherë ose shpesh kanë pasur mosmarrëveshje në familje për shkak të financave, ndërsa po aq kanë ndier turp ose parehati për gjendjen e tyre financiare.

Ljupka Topallovska, psikologe dhe psikoterapiste nën supervizim, shpjegon se pasiguria e zgjatur financiare mund të shkaktojë nervozizëm, mungesë durimi, ndjenjë pafuqie dhe tërheqje nga njerëzit e afërt. Megjithatë, reagimet varen nga përvojat jetësore dhe mbështetja që ka secili individ.

„Nuk mendoj se rritja e çmimeve e ndryshon domosdoshmërisht personalitetin“, thotë Topallovska.

Sipas saj, vështirësitë ekonomike nuk kanë pse t’i ndryshojnë vlerat e një personi, por mund të ndikojnë në prioritetet dhe sjelljen e tij të përditshme. Te disa njerëz, kufizimet financiare mund të shkaktojnë pakënaqësi dhe ulje të motivimit, ndërsa te të tjerët mund të nxisin përshtatje më të madhe.

Ajo thekson se pasiguria e zgjatur mund të krijojë edhe frikë nga shpenzimi i parave, e cila te disa njerëz vazhdon edhe pasi gjendja financiare përmirësohet. Megjithatë, nuk mund të përgjithësohet se të gjithë reagojnë në të njëjtën mënyrë, pasi disa tërhiqen në vetvete, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë mbështetje nga njerëzit e afërt.

Pasojat e pasigurisë financiare mund të ndihen edhe gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme për jetën. Në anketë, pesë pjesëmarrës kanë deklaruar se të paktën rrallëherë kanë shtyrë vendimin për të jetuar të pavarur ose për t’u zhvendosur, ndërsa po aq kanë shtyrë planet që lidhen me arsimimin, martesën, fëmijët apo blerjen e një shtëpie.

Baçovska Nediq shpjegon se të rinjtë nuk vazhdojnë të jetojnë me prindërit vetëm për shkak të traditës. Kur një i ri është i punësuar, por nuk mund t’i përballojë i vetëm qiranë, faturat dhe shpenzimet bazë, bashkëjetesa me prindërit mund të bëhet domosdoshmëri ekonomike.

Në të njëjtën kohë, të rinjtë që kanë mbështetje familjare dhe pronësore kanë mundësi krejtësisht të ndryshme nga ata që nuk e kanë këtë mbështetje.

Se shpenzimet e larta janë një shqetësim i përhapur gjerësisht dëshmon edhe hulumtimi „SecuriMeter 2026“ i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Sipas rezultateve, 93,8 për qind e të anketuarve në Maqedoni kanë shprehur shqetësim për koston e jetesës dhe inflacionin, duke e vlerësuar këtë shqetësim me të paktën gjashtë pikë në një shkallë nga një deri në dhjetë.

Në këtë hulumtim janë përfshirë 1.000 të anketuar nga Maqedonia.

Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, shporta minimale sindikale në muajin nëntor arriti në 70.827 denarë, që është për 469 denarë më shumë se në tetor.

Paga mesatare neto në shtator ishte 49.141 denarë, ndërsa inflacioni vjetor në tetor ishte 3,3 për qind, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.

Shporta minimale sindikale përllogarit shpenzimet e një familjeje me katër anëtarë, ndërsa paga mesatare i referohet një të punësuari, prandaj këto dy shifra nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt.

Baçovska Nediq paralajmëron se pasiguria e zgjatur materiale mund të ndryshojë gradualisht edhe perceptimin e njerëzve për atë që konsiderohet jetë normale.

Pushimet, restorantet, ngjarjet kulturore dhe udhëtimet familjare, të cilat dikur ishin aktivitete të zakonshme, për një pjesë të qytetarëve po shndërrohen në shpenzime që gjithnjë e më vështirë mund t’i përballojnë.

Sipas profesoreshës, problemi nuk qëndron vetëm te reduktimi i konsumit, por edhe te kufizimi i mundësive për të qenë pjesë e jetës shoqërore.

„Një shoqëri që vazhdimisht jeton nga paga në pagë, e ka të vështirë të ndërtojë një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen“, përfundon Baçovska Nediq.

artikuj të ndërlidhura