Arrestohet një person i armatosur pranë fushës së golfit të Trumpit

Nga D. V.
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 5 gusht, Zhurnal.mk – Një burrë i armatosur është arrestuar pranë fushës së golfit të presidentit amerikan Donald Trump në Kaliforni, vetëm pak ditë përpara një vizite të planifikuar të tij në këtë kompleks, bëri të ditur Zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.

Sipas autoriteteve, oficerë të veshur civilë vunë re të dielën një person të dyshimtë në kompleksin Trump National Golf Course në Rancho Palos Verdes.

Ai po bënte fotografi dhe video, ndërsa dukej se po vëzhgonte masat dhe planifikimin e sigurisë për vizitën e presidentit.

Gjatë arrestimit, policia gjeti tek i dyshuari municion dhe një karikator me kapacitet 16 fishekësh. Kontrolli i automjetit të tij zbuloi një pistoletë të mbushur dhe një karikator tjetër me fishekë.

Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan armë dhe municione të tjera, jelek antiplumb, pajisje për sinjale radio, si dhe disa fletore me shënime që policia i përshkroi si “shqetësuese”.

Presidenti Trump pritej të merrte pjesë të martën në mbrëmje në një darkë për mbledhje fondesh të organizuar nga Partia Republikane në të njëjtin kompleks golfi.

Ky incident rikthen në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së presidentit amerikan, e cila ka qenë objekt shqetësimi pas disa episodeve të fundit.

Në prill të këtij viti, të shtëna me armë u dëgjuan gjatë një darke me gazetarët në Uashington, duke detyruar shërbimet e sigurisë të evakuonin Trump dhe bashkëshorten e tij, ndërsa aktiviteti u ndërpre menjëherë.

Në shkurt, një burrë i armatosur u vra nga forcat e rendit pranë rezidencës së Trump në Mar-a-Lago, në Florida.

Ndërsa gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, Trump u plagos lehtë në vesh pas të shtënave gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

Po atë vit, Shërbimi Sekret neutralizoi një tjetër person të armatosur, i cili ishte fshehur pranë fushës së golfit të Trump në West Palm Beach dhe dyshohej se po përgatiste një sulm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër