Partitë nacionaliste dominojnë zgjedhjet, pjesëmarrja në nivelin më të ulët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bosnjë-Hercegovinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Partitë nacionaliste vazhdojnë të jenë forca kryesore politike në Bosnjë-Hercegovinë, pas zgjedhjeve të përgjithshme që, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK), pritet të sjellin ndryshime në politikën e vendit. Numërimi i votave u krye dje në më shumë se 90% të qendrave të votimit.

Pjesëmarrja në zgjedhje ra në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, duke zbritur në vetëm 41,5%, nga 51,5% në vitin 2022.

Denis Beçiroviçi, nga komuniteti boshnjak, dhe Zhelka Cvijanoviç, nga komuniteti serb, u zgjodhën sërish në Presidencën trianëtarëshe të Bosnjë-Hercegovinës.

I vetmi anëtar i ri është përfaqësuesja e komunitetit kroat, Darijana Filipoviç.

Socialdemokrati Beçiroviç fitoi garën për vendin që i takon përfaqësuesit boshnjak, me 38,1% të votave, duke mundur Bakir Izetbegoviçin, liderin e partisë SDA, një parti nacionaliste boshnjake me bazë te komuniteti mysliman, i cili mori 34%.

Cvijanoviç, një serbe dhe anëtare e partisë nacionaliste në pushtet SNSD, në pjesën e vendit të drejtuar nga serbët, fitoi me një diferencë të madhe.

Ajo mori 55,6% të votave, ndërsa kundërshtari i saj, Marinko Bozhoviç, nga partia nacionaliste e moderuar SDS, mori 26,8%.

Me zgjedhjen e Darijana Filipoviç, një kroate dhe anëtare e partisë HDZ BiH, një politikane nacionaliste kroate bëhet pjesë e institucionit më të lartë shtetëror të vendit.

Paraardhësi i saj, Zhelko Komshiç, një socialdemokrat dhe jo-nacionalist, nuk kandidoi për një mandat tjetër.

Filipoviç fitoi vendin që i takon përfaqësuesit kroat, me 48,2% të votave, kundrejt socialdemokratit Slaven Kovaceviç, i cili mori 28,8%.

Përçarjet mes grupeve nacionaliste

Vendi i vogël ballkanik është i ndarë në masë të madhe mes partive që përfaqësojnë komunitetet kryesore: boshnjakët, kryesisht myslimanë, që përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë; serbët, kryesisht ortodoksë, rreth një të tretën; dhe kroatët, kryesisht katolikë, rreth 15%.

Nga viti 1992 deri në 1995, Bosnjë-Hercegovina u përfshi në një luftë civile, të nxitur nga Serbia, ku humbën jetën rreth 100 mijë njerëz dhe më shumë se 2 milionë persona u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Pas përfundimit të luftës, Bosnjë-Hercegovina është e ndarë në dy njësi kryesisht autonome, që kanë kompetenca të gjera për të qeverisur vetë: Federata e Bosnjë-Hercegovinës (FBiH), ku jetojnë kryesisht boshnjakë dhe kroatë dhe Republika Srpska (RS), ku jetojnë kryesisht serbë.

Bosnjë-Hercegovina është një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga fundi i vitit 2022.

Një veçori e sistemit zgjedhor të Bosnjës është se përfaqësuesi serb i Presidencës zgjidhet vetëm në pjesën e vendit të drejtuar nga serbët, ndërsa përfaqësuesit boshnjak dhe kroat zgjidhen nga votuesit në të gjithë Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo do të thotë se edhe votuesit boshnjakë mund të votojnë për kandidatin kroat dhe mund të zgjedhin një kandidat kroat që nuk është nacionalist. Kjo ka ndodhur disa herë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Përveç tre anëtarëve të Presidencës së shtetit, votuesit zgjodhën dje edhe parlamentin federal, parlamentet e dy njësive kryesisht autonome – Republika Srpska dhe Federata e Bosnjë-Hercegovinës – presidentin e Republikës Srpska-s dhe 10 parlamentet kantonale në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Për shkak të sistemit kushtetues shumë të ndërlikuar dhe negociatave për krijimin e koalicioneve qeverisëse, të cilat zakonisht zgjasin me muaj, rezultatet e zgjedhjeve të djeshme, japin pak mundësi për të parashikuar se si do të jetë qeverisja e vendit në tërësi.

Separatisti forcon pushtetin mes serbëve

Në pjesën e vendit të drejtuar nga serbët, SNSD-ja e Milorad Dodik forcoi më tej pushtetin e saj.

Savo Miniç, kandidati i SNSD-së, fitoi zgjedhjet për president të Republikës Srpska.

Ndërkohë, SNSD-ja mbetet forca kryesore në parlamentin e Republikës Srpska, duke marrë 39% të votave, nga 34,6% në vitin 2022.

Dodik, i cili ka qenë për vite president i Republikës Srpska, u shkarkua nga detyra vitin e kaluar nga një gjykatë në Sarajevë, për shkak të aktiviteteve separatiste, që synonin shkëputjen e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër