Reforma Territoriale, këshillat në Këlcyrë e Klos unanimisht kundër shkrirjes së bashkive

Nga D. V.
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Drafti i propozuar nga Partia Socialiste për riorganizimin e ndarjes së re territoriale, që përfshin shkrirjen e 15 bashkive, ka hasur kundërshtime në disa bashki, teksa këshillat bashkiakë kanë nisur të shprehin qëndrimet e tyre kundër shkrirjeve të njësive vendore.

Mediet raportojnë se, këshilli bashkiak i Këlcyrës votoi kundër propozimit të mazhorancës socialiste për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin me bashkinë e Përmetit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët votuan unanimisht kundër draftit të PS-së.

Vendimi erdhi pas reagimeve dhe protestave të banorëve të zonës, të cilët kanë kundërshtuar humbjen e statusit të bashkisë dhe kanë kërkuar që Këlcyra të vijojë të funksionojë si njësi më vete.

Këshilltarët bashkiakë, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, i bënë thirrje edhe Këshillit Bashkiak të Përmetit të mos miratojë propozimin për bashkimin e dy bashkive.

Gjithashtu edhe në Klos ka nisur diskutimi për ndarjen e re territoriale, ku drafti i propozuar nga socialistët parashikon shkrirjen e bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me bashkinë Mat.

Kryetarja e bashkisë Klos, Valbona Kola, deklaroi se përpara çdo vendimmarrjeje do të zhvillohen dëgjesa publike me banorët në të gjitha njësitë e zonës.

Ajo tha se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

“Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, edhe unë do të jem kundër”, u shpreh Kola.

Propozimi i PS-së për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime. Qarqet nuk preken nga reforma.

Gjithashtu, krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore, që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe parashikon që ato të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër