Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Është hapur një përplasje politike mes nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, dhe koalicionit VLEN lidhur me tabelat shtetërore në pikën kufitare të Tabanocit dhe përdorimin e gjuhës shqipe, transmeton Zhurnal.mk.
Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Osmani shprehu shqetësim, duke pretenduar se në Tabanoc janë vendosur tabela shtetërore pa gjuhën shqipe.
“Sot, pa fije shqetësimi, u vendosën tabela shtetërore pa gjuhën shqipe në Tabanoc. Ndoshta dikush mendon se po e shoh këtë si mundësi për opozitarizëm. Sinqerisht, sot nuk kam as vullnet e as dëshirë për politikë. Jam jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe i shqetësuar. Sepse gjuha shqipe nuk është e një partie. Është e jona. Është ajo që na tregon se edhe ne i përkasim këtij shteti, se edhe ky shtet është i yni. Po ju drejtohem edhe juve që e keni mbështetur VLEN-in. Po ju drejtohem edhe miqve të mi maqedonas që po heshtin. Sot po hiqet prezenca jonë nga dyert e shtetit. A do ta normalizojmë këtë marrëzi?”, shkroi Osmani.
Pas këtij reagimi, ka ardhur kundërpërgjigjja e VLEN-it, i cili i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke i cilësuar ato si dezinformim, si dhe është dërguar një video në redaksinë tonë, Zhurnal, se gjuha shqipe figuron në Tabelën në vendkalimin kufitar Tabanovcë.
“Bujar Osmani sot ngriti alarm për ‘zhdukjen’ e gjuhës shqipe në Tabanoc. Ndërkohë, pamjet nga vendkalimi kufitar tregojnë të kundërtën. Gjuha shqipe është aty, e vendosur dhe e respektuar, ashtu siç duhet. Më pak dezinformim, më shumë fakte”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
