Zëdhënësja e Qeverisë zbulon agjendën për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: “25 vjet dhe përtej”

Nga D. V.
919 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, ka prezantuar agjendën e aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili këtë vit do të shënohet nën moton “25 vjet dhe përtej”.

Azizi tha se përvjetori do të shërbejë jo vetëm për të reflektuar mbi të arriturat e 25 viteve të fundit, por edhe për të diskutuar të ardhmen e vendit, perspektivën e të rinjve dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Pse përtej? Sepse do të fillojmë të shikojmë çfarë na pret përtej 25 viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Do të shohim cila do të jetë ardhmëria e fëmijëve tanë, e rinisë sonë dhe cila do të jetë rruga që do ta trasojmë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Azizi.

Në kuadër të programit do të organizohen tre panele me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara nga jeta politike në vend dhe jashtë Maqedonisë së Veriut. Temat do të përfshijnë Bashkimin Evropian, kohezionin, pushtetin lokal, decentralizimin, paqen e qëndrueshme dhe Marrëveshjen e Ohrit.

Aktiviteti qendror do të mbahet në Urën e Gurit në Shkup, ku janë paraparë performanca dhe aktivitete kulturore-artistike, si dhe fjalime protokollare. Në manifestim pritet të marrë pjesë edhe trupi diplomatik.

“Me këto panele do të mundohemi të nxjerrim të gjitha ato pika që do të na japin një vizion se çfarë na pret në 25 vitet e ardhshme, duke përkujtuar edhe të kaluarën dhe atë që kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve”, tha zëdhënësja e Qeverisë.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit do të mbahet edhe një seancë solemne në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

https://www.facebook.com/share/v/1EVkKNJfQg/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër