Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Në Ministrinë e Shëndetësisë sot u publikuan protokollet për terapi të shpërndarë për sklerozën multiple, së bashku me drejtorët e Klinikës Universitare për Neurologji, Spitalit Special për Ortopedi dhe Traumatologji “Shën Erazmo” – Ohër, GOB “8 Shtatori” – Shkup dhe Spitalit Klinik Shtip.
„Në Klinikën e Neurologjisë trajtohen rreth dy mijë pacientë me sklerozë multiple, prej të cilëve rreth 1.800 trajtohen aktivisht, ndërsa numri i të sapodiagnostikuarve rritet – vetëm në vitin 2025 ata janë 115. Aktualisht, 835 pacientë nga 48 komuna janë në barnat imunomoduluese të përfshira në shpërndarje dhe të gjithë terapinë e marrin ose e pranojnë në Klinikën në Shkup. Prej tyre, 491 jetojnë jashtë rajonit të Shkupit dhe shumë udhëtojnë çdo muaj, shpesh me shoqërues, gjë që do të thotë shpenzim, mungesë nga puna dhe përpjekje shtesë për njerëzit me sëmundje kronike. Decentralizimi mundëson të shërbehen më shumë pacientë pa u bërë Klinika ngushticë“, theksoi ministri Klekovski dhe shtoi se buxheti për barnat për sklerozë multiple këtë vit arrin rekord prej 451 milionë denarësh.
– Kjo është model. Është lehtësim për pacientët, të cilët terapinë do ta marrin më afër shtëpisë së tyre, por edhe përparim për punonjësit shëndetësorë në spitalet rajonale, fusha e punës së të cilëve pasurohet. Sigurisht, ky është model edhe për fusha të tjera, si onkologjia, deklaroi ministri Klekovski.
Drejtori i Klinikës Universitare për Neurologji, Jovan Bozhinovski, theksoi se iniciativa është përgjigje ndaj kërkesave shumëvjeçare të Shoqatës për luftë kundër sklerozës multiple.
„Rregullorja i përcakton barnat, kompetencat, kushtet për qendrat dhe procedurën, ndërsa me protokollin çdo spital veçmas merr detyrimet që e prekin. Spitalet obligohen të caktojnë neurolog përgjegjës, farmacist dhe infermiere të trajnuara, t’i ruajnë dhe t’i japin barnat sipas regjimit të përcaktuar, të evidentojnë çdo dozë dhe të raportojnë reaksionet e padëshiruara brenda 24 orëve. Klinika e mban përgjegjësinë profesionale, financiare dhe organizative: ajo i furnizon barnat, përmes Komisionit për terapi imunomoduluese vendos për çdo pacient, e faturon terapinë ndaj Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe kryen mbikëqyrje në qendrat të paktën një herë në vit“, shpjegoi drejtori Bozhinovski.
Decentralizimi përfshin dhjetë barna, të ndara në dy grupe. Në të parën janë barnat që pacienti i administron vetë – interferonët, glatiramer acetati dhe barnat orale (dimetil fumarat, teriflunomid, kladribin) – dhe ato merren çdo muaj nga farmacia spitalore e qendrës. Në të dytën janë barnat biologjike okrelizumab, natalizumab dhe ofatumumab, të gjitha në formë subkutane, të cilat i aplikon personeli mjekësor në qendër. Terapia fillohet në Klinikë, ku pacienti merr dozën e parë, kalon trajnim dhe nënshkruan pëlqim, ndërsa të gjitha dozat e ardhshme i merr në qendrën rajonale. Kontrollimet bëhen çdo gjashtë ose 12 muaj, me konsilium digjital.
Në fazën e parë, Spitali Klinik Shtip do të mbulojë pjesën lindore, juglindore dhe të Vardarit (rreth 128 pacientë), Spitali Special “Shën Erazmo” – pjesën jugperëndimore dhe Bitolën (rreth 146), ndërsa GOB “8 Shtatori” merr pacientët nga Shkupi (344). Gjithsej 618 pacientë (74 %) do të mund ta marrin terapinë në qendër rajonale, dhe së bashku me pacientët nga komunat kufitare, të cilët vetë do të zgjedhin qendrën, deri në 692 (83 %). Kalimi është vullnetar – pacienti kalon vetëm pasi të nënshkruajë pëlqim me shkrim, ndërsa ai që nuk dëshiron të kalojë mbetet në Klinikë pa asnjë pasojë mbi të drejtën e terapisë.
