Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës vijon për të dytën ditë, ndërsa flakët po avancojnë në drejtim të zonave të banuara.
Në terren janë angazhuar rreth 140 forca, ndërsa operacioni po mbështetet edhe nga ajri me dy avionë “Canadair”.
Kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, një ditë më parë bëri të ditur se një zjarr i përmasave të mëdha kishte përfshirë zonën e Borie-Lurës, duke kërkuar angazhimin e strukturave vendore dhe forcave të tjera për shuarjen dhe izolimin e tij.
Sipas tij, në terren ishin angazhuar 66 forca, përfshirë 13 zjarrfikës, 14 punonjës të Drejtorisë së Bujqësisë, 7 punonjës të njësisë administrative Lurë, 4 punonjës të Emergjencave Civile, 8 punonjës të ADZM-së dhe 20 vullnetarë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit, situata është përkeqësuar dhe zjarri vijon edhe në ditën e dytë, me flakët që po avancojnë drejt zonave të banuara.
Numri i forcave të angazhuara në operacion ka shkuar në rreth 140, të cilat po punojnë për frenimin dhe izolimin e vatrës. Për shkak të terrenit të vështirë malor, ndërhyrja në tokë paraqet vështirësi të konsiderueshme.
Operacioni është përforcuar edhe nga ajri, me dy avionë “Canadair”, ndërsa forcat në terren janë përqendruar veçanërisht në mbrojtjen e banesave dhe ndalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Zjarri në Lurë mbetet një prej vatrave problematike, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të situatës.
