ISHP apel qytetarëve: Kujdes nga i nxehti, masat në kohë mund të shpëtojnë jetë

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Në ditën më të nxehtë, siç parashikohet sot, ku temperaturat pritet të shkojnë deri në 40 gradë Celsius, Instituti i Shëndetit Publik u bën apel qytetarëve të marrin masa mbrojtëse ndaj temperaturave të larta dhe valës së të nxehtit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ISHP këshillon qytetarët të mbajnë syze dielli dhe kapele, të veshin rroba të lehta e të pambukta dhe të konsumojnë ujë rregullisht, edhe në rastet kur nuk ndiejnë etje.

Për të shmangur pasojat e temperaturave të larta, rekomandohet që qytetarët të freskohen me dush ose peshqirë të lagur dhe të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar.

ISHP thekson njëherësh rëndësinë e marrjes së ilaçeve sipas rekomandimit të mjekut, ndërsa për personat që jetojnë vetëm këshillohet që një familjar ose fqinj t’i kontaktojë të paktën dy herë në ditë.

Një apel i veçantë i drejtohet prindërve dhe kujdestarëve që të mos lënë në asnjë rast fëmijë apo kafshë shtëpiake në automjet, qoftë edhe për pak minuta.

Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në rast se shfaqen shenja të tilla si dhimbje koke të forta, marramendje, të përziera ose të vjella dhe konfuzion.

“Mbrohuni nga nxehtësia, kujdesi në kohë mund të shpëtojë jetë”, apelon ISHP.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër