Blushi: Situatë alarmante nga zjarret në Priskë

Nga D V
943 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ishte sot në Priskë të Madhe, Tiranë, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarret e një dite më parë.

Blushi u shpreh se situata është alarmante dhe shteti duhet të çohet në këmbë, pasi sipas tij, “nuk janë braktisur vetëm qytetarët, por edhe zjarrfikësit”.

“Aty ku pak ditë më parë ka qenë një nga kurorat e gjelbra të Tiranës, sot gjithçka është shndërruar në shkrumb e hi. Situata këtu është shumë e rëndë. Shumë hektarë ullishte, dru frutorë, pasuri private dhe publike janë shkrumbuar”, tha ai.

Blushi vlerësoi heroizmin dhe sakrificat e punonjësve të zjarrfikëseve, që në kushte tejet të vështira po luftojnë për orë të tëra me flakët.

“Situata është katastrofike. Jam në një nga qendrat që vetëm pak orë më parë ishte nën pushtetin e flakëve. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të shpëtuar qoftë edhe një rrënjë ulliri, sepse është një pasuri kombëtare. Priska e Madhe është një tjetër dëshmi e dështimit katastrofik të Reformës Territoriale të vitit 2014”, tha ai.

Një bashki si Tirana, sipas Blushit “presupozohet të kishte të gjitha kapacitetet dhe mundësitë financiare për të përballuar një situatë zjarri dhe sot e ka të pamundur të fikë zjarret në Priskë të Madhe”.

“Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë sot në Fush-Arrëz, në Pukë, në Memaliaj, në Tepelenë, në Libohovë dhe në të gjitha bashkitë që Edi Rama kërkon ti shkrijë dhe t’ua çojë shërbimin zjarrfikës me vonesë kur vet standardet europiane detyrojnë që shërbimi zjarrfikës duhet të jetë jo më larg se 30 minuta dhe Tirana sot është dëshmi e qartë, e dhimbshme, tragjike e dështimit katastrofik të kësaj reforme”, shtoi ai.

Sipas Blushit, “zjarri është shumë pranë banesave dhe rrezikon të djegë edhe pronat e shtëpitë e familjeve që janë lenë në mëshirë të fatit”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër