Tiranë, 14 gusht, Zhurnal.mk – Procesi i aplikimit për vizë në Shqipëri është transformuar përmes digjitalizimit, duke kaluar nga procedurat manuale dhe paraqitja fizike në sportele, në një sistem elektronik që mundëson aplikimin dhe ndjekjen online të procesit.
Besmir Meta, specialist në Sektorin IT në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpjegon se sistemi e-Visa, i zhvilluar nga AKSHI, ka modernizuar mënyrën e aplikimit për vizë për shtetasit e huaj që kanë nevojë për vizë për të vizituar Shqipërinë.
“Dhënia e vizave në Shqipëri ka qenë një proces manual, i cili kërkonte paraqitjen fizike nëpër sportele dhe dorëzimin e dokumenteve dorazi. Kjo krijonte parregullsi dhe vështirësi në leximin e të dhënave”, tha Meta.
Sipas tij, prej vitit 2020 Shqipëria ka kaluar në një sistem modern, tërësisht digjital, përmes aplikimit elektronik për vizë në sistemin e-Visa.
Përmes këtij sistemi, të dhënat dhe dokumentacioni i aplikantëve regjistrohen elektronikisht, duke rritur saktësinë e informacionit dhe duke eliminuar gabimet që mund të shkaktoheshin nga mbajtja manuale e të dhënave.
“e-Visa është sistemi digjital i zhvilluar nga AKSHI, i dedikuar për shtetasit e huaj të cilët dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë, por kanë nevojë për vizë”, u shpreh ai.
Një tjetër avantazh i sistemit është mundësia që aplikantët të kenë akses në procesin e tyre dhe të gjurmojnë statusin e aplikimit, hap pas hapi, deri në finalizimin e vizës, për llojet e ndryshme të vizave.
Përmes e-Visa, aplikimi për vizë zhvillohet në mënyrë elektronike, duke reduktuar nevojën për procedura fizike dhe duke ofruar një proces më të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt për aplikantët.
