Siljanovska-Davkova: Ushtria është faktor i stabilitetit, sigurisë dhe besimit

Nga I.A
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Ushtria e Maqedonisë sot është një formacion ushtarak i organizuar në nivel të lartë, me integritet profesional, besueshmëri operative dhe interoperabilitet të lartë me forcat aleate, tha presidentja dhe komandantja e përgjithshme Gordana Siljanovska-Davkova në ceremoninë me rastin e Ditës së Ushtrisë në Ohër.

Në fjalimin e saj ajo kujtoi zhvillimin historik të Ushtrisë, nga formimi i batalionit “Mirçe Acev” në vitin 1943 deri te anëtarësimi i vendit në NATO, duke vlerësuar se Ushtria maqedonase është faktor i stabilitetit, sigurisë dhe besimit.

Duke u ndalur te sfidat aktuale të sigurisë, presidentja theksoi se mbrojtja moderne duhet të jetë e përgatitur për format e reja të kërcënimeve, përfshirë hapësirën kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

“Besoj fort se sa më e sigurt të jetë mbrojtja jonë e brendshme, aq më i rëndësishëm është kontributi ynë ndaj sigurisë së përbashkët. Pikërisht për këtë, forcimi i kapaciteteve tona është mënyra e vërtetë për të forcuar pozicionin tonë në aleancë si anëtare serioze dhe e besueshme, mbi të cilën mund të mbështetesh”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se Ushtria jo vetëm që i përmbush standardet e NATO-s, por i shndërron ato në praktikë të vetën, dhe dëshmi për këtë janë vlerësimet e larta për Grupin e Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë dhe pjesëmarrja e 183 pjesëtarëve të Ushtrisë në misione dhe operacione paqeruajtëse ndërkombëtare.

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, në fjalimin e tij theksoi se Ushtria është shtyllë e stabilitetit dhe sigurisë së shtetit, duke nënvizuar se modernizimi realizohet sipas dinamikës së planifikuar. Ai informoi se tashmë janë dorëzuar mjetet e blinduara JLTV dhe Stryker, sistemet artilerike “Boran”, pjesa më e madhe e sistemeve kundërajrore “Mistral 3”, ndërsa deri në fund të vitit priten edhe dy helikopterët e rinj. Ministri paralajmëroi edhe një zgjidhje të re ligjore për ushtarët profesionistë që kanë mbushur 45 vjeç, si dhe rritje të pagave nga viti i ardhshëm.

Sipas tij, paralelisht me pajisjen e Ushtrisë po investohet edhe në përmirësimin e infrastrukturës në kazermat ushtarake, për të cilat në periudhën e ardhshme janë parashikuar mbi 12 milionë euro. Duke uruar festën e pjesëtarëve të Ushtrisë, Misajllovski tha se zhvillimi i saj do të vazhdojë me ritëm edhe më të fuqishëm, përmes blerjeve të reja, investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së numrit të trajnimeve dhe stërvitjeve.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, me rastin e Ditës së Ushtrisë tha se viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për Ushtrinë, e cila edhe një herë ka konfirmuar pjekurinë operative dhe gatishmërinë për t’u përballur me sfidat moderne të sigurisë.

Në fjalimin e tij në ceremoninë në Ohër, Lafçiski theksoi se realizimi i suksesshëm i stërvitjes “Blesok 26” dhe vlerësimi i Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë përbëjnë dëshmi për aftësitë e arritura dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të Ushtrisë.

“Fitimi i statusit ‘luftarakisht i gatshëm’ nuk është vetëm njohje formale. Është dëshmi se pas këtij rezultati qëndrojnë mijëra orë trajnimi, planifikimi, përgatitje, ushtrime, sakrifica dhe përkushtim profesional”, theksoi Lafçiski.

Gjenerali shtoi se Ushtria ndodhet në procesin më intensiv të modernizimit që nga formimi i saj, përmes blerjes së pajisjeve të reja dhe zhvillimit të kapaciteteve moderne, duke theksuar se burimi më i vlefshëm mbetet potenciali njerëzor.

Në ceremoninë solemne u ndanë dekorata dhe mirënjohje për njësitë ushtarake, institucionet dhe pjesëtarët e Ushtrisë për kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe kryerjen e detyrave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër