Vjenë, 21 gusht Zhurnal.mk – Një stuhi e fuqishme të enjten goditi Slloveninë dhe Austrinë, ku një person humbi jetën nga goditja e rrufesë pranë Celjes, ndërsa në disa zona u raportuan përmbytje dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Policia në Celje njoftoi se rrufeja goditi dy persona që ndodheshin nën një pemë në zonën e Žalecit. Një 46-vjeçar humbi jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër u dërgua në spital me lëndime të lehta.
Në Slloveninë qendrore, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të bodrumeve, dëmtim të çative dhe rrëzim të pemëve. Në Podolševë, ndërkaq, rrufeja shkaktoi zjarr në një objekt ndihmës.
Sipas Qendrës Informative të Drejtorisë Sllovene për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë, shërbimet emergjente kryen 51 ndërhyrje, kryesisht në zonat e Ljubljanës, Celjes, Kranjit, Trbovljes dhe Koperit.
Meteorologët paralajmëruan se reshjet e dendura do të vazhdojnë edhe të premten, për çka në të gjithë territorin e Sllovenisë është lëshuar alarm portokalli.
