Zbulohet një punishte për paketimin e drogës në Tetovë

Nga Xh M
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 22 gusht Zhurnal.mk – Tre të rinj janë kapur në momentin kur dyshohet se po merreshin me paketimin e lëndëve narkotike.

Policia në Tetovë, me mbështetjen e njësisë speciale “Tigrat” dhe qenve zyrtarë, gjatë ditës së djeshme ka zbuluar një objekt që dyshohet se përdorej për paketimin e drogës.

Gjatë aksionit, në punishte janë gjetur tre persona, mes tyre një 19-vjeçar dhe dy të mitur 16-vjeçarë.

Sipas njoftimit të policisë, objekti është një barakë-punishte që përdorej nga P.M. (36). Në kuadër të aksionit është kontrolluar edhe një shtëpi.

Gjatë kontrollit në punishte, te 19-vjeçari L.S. dhe njëri prej të miturve janë gjetur materie e bardhë në formë pluhuri, marihuanë dhe dy peshore digjitale. Gjithashtu, në objekt janë zbuluar kuti që përmbanin materie të bardhë në formë pluhuri, si dhe para në valuta dhe prerje të ndryshme.

Pas gjetjeve, të tre personat janë privuar nga liria dhe janë dërguar për procedurë të mëtejshme.

Policia së fundmi ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar gjashtë herë janë zbuluar raste me drogë në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të intensifikojnë aktivitetet për zbulimin dhe parandalimin e veprave penale ku përfshihen të miturit.

Rasti vijon të dokumentohet nga organet kompetente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër