Ish-kryeministri Georgievski hap dosjen: A kishte nevojë për luftën e 2001-shit? Kush e filloi dhe pse?

Nga Xh M
1,309 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 gusht Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Ljupço Georgievski, ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me shkaqet dhe fillimin e konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, duke argumentuar se historia e luftës nuk duhet të trajtohet vetëm përmes përfundimit të saj me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Georgievski pyet: Kush e filloi luftën? Pse u nis ajo? Dhe a kishte vërtet nevojë për një konflikt të armatosur?.

Sipas tij, për të marrë përgjigje për këto çështje duhet të zbardhen disa episode dhe figura që, sipas tij, kanë mbetur të paqarta në narrativën publike për vitin 2001.

Në mënyrë të veçantë, Georgievski përmend “Dossierin Antik”, si dhe figurën e Gëzim Ostrenit. Ai ngre pyetje mbi të kaluarën e Ostrenit, duke e përshkruar si një ish-komandant të Mbrojtjes Territoriale në hapësirën jugperëndimore të Maqedonisë gjatë Jugosllavisë, i cili më vonë u bë një nga figurat kryesore ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Georgievski shtron gjithashtu pyetjen se pse, sipas tij, roli dhe figura e Ostrenit janë më pak të pranishme në diskutimet e sotme për konfliktin e vitit 2001.

Konflikti i armatosur në Maqedoni gjatë vitit 2001 përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit më 13 gusht 2001. Marrëveshja vendosi bazat për ndryshime kushtetuese dhe politike, përfshirë zgjerimin e të drejtave të komunitetit shqiptar dhe përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe.

Deklaratat e Georgievskit rikthejnë në vëmendje një nga periudhat më të debatueshme të historisë së re të Maqedonisë dhe hapin sërish pyetjen nëse shkaqet, aktorët dhe zhvillimet që çuan drejt konfliktit të vitit 2001 janë zbardhur plotësisht.

https://www.facebook.com/ljgeorgievski/posts/1607843140702041?ref=embed_post

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër