Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i ri i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), Sami Morina, së bashku me udhëheqësinë e re të Odës, po vazhdojnë takimet e drejtpërdrejta me bizneset anëtare në kuadër të programit “Road Show”.
Nga OEMVP-ja bëjnë të ditur se përmes këtij programi po vizitohen edhe kompani që prej vitesh kanë qenë pasive në veprimtarinë e Odës, me synimin për t’i rikthyer ato në aktivitetet e saj dhe për të forcuar bashkëpunimin me sektorin privat.
Sipas njoftimit, takimet shërbejnë si një mundësi për të dëgjuar nga afër sfidat dhe nevojat me të cilat përballen bizneset, si dhe për të ndërtuar një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më efektiv në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat.
“Përmes programit Road Show, po vizitojmë edhe kompani që prej vitesh kanë qenë pasive në veprimtarinë e OEMVP-së, me synimin që t’i rikthejmë në aktivitetin e Odës dhe të forcojmë bashkëpunimin”, thuhet në njoftim.
OEMVP vlerëson se komunikimi i drejtpërdrejtë me anëtarët mbetet një nga prioritetet kryesore të udhëheqësisë së re, me qëllim krijimin e një rrjeti më të fuqishëm bashkëpunimi dhe adresimin më të mirë të çështjeve që prekin komunitetin e biznesit.
