Nesër fillon gjykimi kundër ish zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi

Nga Xh M
961 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 gusht Zhurnal.mk – Pas gjashtë muajsh në arrest shtëpie, ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi nesër do të ulet në bankën e të akuzuarit lidhur me keqpërdorimin e rreth 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore. Krahas tij, i akuzuar i parë në këtë lëndë është ish drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, megjithatë ai ende mbetet në arrati. I akuzuar është edhe ish sekretari i Qeverisë, Metodija Dimovski, por edhe kryetari dhe anëtarët e bordit të Lotarisë. Procesin gjyqësor do ta udhëheqë gjyqtarja Biljana Shuplinovska – Jovevski.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë furnizuar VLT aparate për Lotarinë Shtetërore edhe pse të njëjtat fare nuk kanë qenë të nevojshme dhe asnjëherë nuk janë përdorur.

Pavarësisht se Grubi dhe 7 persona të tjerë janë hetuar për veprën penale “Mashtrim në shërbim”, për të cilën parashikohet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet, Prokuroria e ka dorëzuar akuzën veprën penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën parashikohet dënim më i butë, maksimalisht 5 vjet burg. Për këtë çështje, organi i akuzës tha se hetimi ka sjellë deri te provat për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” e jo për “Mashtrim në shërbim”.

Sipas organit të akuzës e tërë ngjarja fillon më 9 maj të vitit 2023, kur i dyshuari i parë, drejtor i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, ka dorëzuar informatë në Qeveri për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Përmes këtij informacioni, ai ka propozuar që të zbatohet procedurë për furnizimin e terminaleve VLT, megjithatë, sipas Prokurorisë, për shkak vlerës së furnizimit, Ligji parashikon procedurë për miratim nga Bordi Drejtues dhe Mbikëqyrës i “Lotarisë Shtetërore” dhe jo nga Asambleja e Aksionarëve.

Propozimi i këtillë është dorëzuar edhe pse Prokuroria thotë se i dyshuari e ka ditur se furnizimi është i pakuptimtë dhe i panevojshëm, pasi Shoqëria aksionare “Lotaria Shtetërore” sipas Ligjit për Lojërat e Fatit nuk ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike fati në mënyrë të pavarur në territorin e shtetit, pasi që prej vitit 2013 ajo e drejtë i ishte ngarkuar Videolotarisë Shtetërore “Kazinos Austria”.

Sekretari i Qeverisë Metodija Dimovski, më 6 qershor 2023 në kundërshtim me Rregulloren për punë e ka dorëzuar informatën si plotësim të rendit të ditës të seancës së Qeverisë, në vend që ta kthejë ose ta ridërgojë deri te organi kompetent.

Në anën tjetër, Artan Grubi, si i dyshuari i dytë, edhe pse e ka ditur se kërkesa konkrete për furnizimin e terminaleve VLT është e paligjshme, po atë ditë, më 6 qershor vitit 2023 si zëvendëskryeministër, ka udhëhequr seancën qeveritare në cilësinë e Asamblesë së Shoqërisë Aksionare edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se Asambleja Aksionare nuk ka të drejtë të vendosë për furnizimin.

Në seancë është miratuar informata dhe “Lotaria Shtetërore është obliguar që të ndërmerrte aktivitetet për të filluar organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe të furnizonte aparatet VLT.

Katër të dyshuarit e tjerë janë kryetari dhe anëtarët e komisionit për dy thirrje të veçanta publike. Ata dyshohen se duke shfrytëzuar autorizimet dhe detyrat zyrtare, kanë zbatuar thirrjen publike për kalimin e së drejtës për organizimin e lojërave të fatit online, edhe pse e kanë ditur se procedura e tillë në rastin konkret nuk guxon të zbatohet, pasi nuk kanë qenë të plotësuara kushtet ligjore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër