Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në 116-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, kujton figurën e saj dhe vlerat universale që ajo përfaqëson.
Më 26 gusht 1910, në Shkup u lind Gonxhe Bojaxhiu, personaliteti që me jetën dhe veprën e saj la gjurmë të thella jo vetëm në historinë e qytetit të lindjes, por edhe në historinë botërore.
Me rastin e 116-vjetorit të lindjes së saj, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e kujton Gonxhe Bojaxhiun përmes vlerave universale që lidhen me veprën e saj: humanizmin, solidaritetin, dinjitetin dhe respektin për çdo njeri.
Sipas ministrit Shasivari, historia e Gonxhe Bojaxhiut është edhe pjesë e historisë së Shkupit – qytetit nga i cili nisi rrugëtimi i një gruaje që më vonë u bë e njohur në mbarë botën.
“Dinjiteti njerëzor, barazia, drejtësia dhe kujdesi për më të pambrojturit janë vlera që nuk njohin kufij, gjuhë apo ndarje”, thekson ministri Shasivari, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre parimeve për një shoqëri të drejtë dhe humane.
Shkupi, thekson ai, është vendlindja e Gonxhe Bojaxhiut, ndërsa historia e saj e jetës është pjesë e një trashëgimie që kapërcen kufijtë lokalë dhe kombëtarë.
“Ta kujtojmë Shkupin jo vetëm si një qytet me histori të pasur, por edhe si qytetin prej të cilit drejt botës u nisën njerëz, veprat e të cilëve lanë gjurmë për njerëzimin”, porosit ministri i Drejtësisë.
Kujtimi i Gonxhe Bojaxhiut, sipas Shasivarit, është një mundësi për të rikujtuar se humanizmi, dinjiteti dhe solidariteti janë vlera universale që i bashkojnë njerëzit përtej çdo kufiri.
