Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë konsensus më të gjerë, por procesi ka ngecur për shkak të mos pjesëmarrjes së partisë më të madhe opozitare, LSDM, në takimet e organizuara nga Ministria e Drejtësisë. Pikërisht votimi i diasporës është bërë nyja kryesore e kontestit. LSDM kundërshton votimin elektronik dhe me postë, duke e konsideruar këtë model si rrezik për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe si hapësirë për manipulime masive, shkruan Zhurnal.
Pse LSDM është kundër votimit të diasporës në formë elektronike ose me postë?
Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i dërgojë ftesë kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për të diskutuar përfshirjen e partisë së tij në procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Takimi pritet të mbahet në Kuvend, ndërsa dinamika e mëtejshme e punës do të varet nga përfundimi i konsultimeve me Filipçen. Qëllimi i Ministrisë është të sigurojë një proces gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet evropiane.
Megjithatë, Filipçe ka refuzuar hapur idenë e votimit elektronik dhe me postë, duke e cilësuar si “jodemokratike dhe joevropiane”. Ai ka lënë të kuptohet se nuk do ta pranojë ftesën për të ulet në tryezë me propozime që, sipas tij, cenojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.
Opozitarja LSDM është shprehur kategorikisht kundër këtij modeli, duke argumentuar se votimi elektronik hap mundësi për keqpërdorime, për votim të kontrolluar dhe për manipulim të rezultateve. Për këtë arsye, LSDM së bashku me të Majtën dorëzuan mbi 13,500 amendamente në Kuvend, me qëllim bllokimin e ndryshimeve të propozuara.
Në këtë mënyrë, bisedimet kanë mbetur në vend-numëro. Përderisa shumica parlamentare insiston në miratimin e ndryshimeve, LSDM e sheh këtë si tentativë për të futur mekanizma të rinj manipulimi në procesin zgjedhor.
Modeli i votimit me postë ekziston në Kosovë dhe vazhdon të funksionojë
Një model i ngjashëm me postë tashmë funksionon në Kosovë, ku diaspora ka të drejtë të votojë përmes dërgimit të fletëve të votimit. Ky sistem, megjithëse i kritikuar për vonesa dhe probleme logjistike, ka mbetur i pranueshëm për institucionet e Kosovës.
Por LSDM e konsideron këtë model të papranueshëm për Maqedoninë e Veriut, duke e parë si rrezik për integritetin e zgjedhjeve. Këtu paraqitet dilema a është kundërshtimi i LSDM-së thjesht përmbajtësor apo ka edhe një dimension politik?
Duke marrë parasysh se numri më i madh i diasporës së Maqedonisë së Veriut është shqiptar, nuk mungojnë zërat që thonë se LSDM frikësohet nga ndikimi i votës së diasporës shqiptare në balancat e brendshme politike.
Kujtojmë që, debati për votimin e diasporës ka zbuluar një ndarje të thellë mes partive politike shumica e sheh si hap drejt modernizimit të procesit zgjedhor, ndërsa LSDM e sheh si rrezik për demokracinë. Nëse ky kontest nuk zgjidhet me konsensus, rreziku është që Kodi Zgjedhor të mbetet peng i interesave partiake, ndërsa diaspora të mbetet pa një mekanizëm të qartë për të ushtruar të drejtën e saj demokratike. /Zhurnal.mk
