Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti, pjesë e Korridorit Blu

Nga D V
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Projekti i autostradës Kashar-Rrogozhinë nis fazën e ndërtimit brenda këtij viti, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka miratuar projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë procesit të shpronësimeve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se pas diskutimeve për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar-Rrogozhinë me bajpasin e Tiranës, tashmë janë përmbyllur detajet e projektit dhe se autostrada nis ndërtimin brenda këtij viti.

“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, u shpreh Karakaçi në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.

“Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, deklaroi ministri.

Karakaçi theksoi se projekti është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, që synon përmirësimin e lidhjeve kombëtare dhe integrimin e vendit me rrjetin europian të transportit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.

Autostrada Kashar–Rrogozhinë konsiderohet një nga segmentet e rëndësishme të Korridorit Blu, duke synuar forcimin e lidhjes veri–jug dhe përmirësimin e aksesit të Shqipërisë në korridoret europiane të transportit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër