Lamallari pas largimit nga detyra: Shërbimi ndaj vendit, nderimi më i madh

Nga D V
33 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi pas përfundimit të detyrës së tij në krye të institucionit, duke e cilësuar shërbimin ndaj vendit si një prej nderimeve më të mëdha.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai thekson se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë një institucion ku është formuar profesionalisht, politikisht dhe njerëzisht.

“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen. Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është “libri i jetës” i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues”, shkruan ai.

Ai shprehet mirënjohës ndaj kryeministrit Rama për mundësinë dhe besimin, teksa shtoi se tashmë do të vijojë angazhimin e tij të ri si pjesë e ekipit të kryeministrit.

“Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes angazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij”, shkruan ai.

Lamallari theksoi se “ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time”.

Lamallari gjithashtu i uroi suksese pasuesit të tij, Ervin Demo, duke shprehur bindjen se ai do të do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër