Të dielën paradite sipas kohës vendore, u mbajt sesioni i dytë i Samitit të 18-të të BRICS-it në Nju-Delhi të Indisë .
Në këtë sesion, të kryesuar nga kryeministri i Indisë Narendra Modi, morën pjesë edhe presidenti i Kinës Xi Jinping , presidenti i Rusisë Vladimir Putin, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, presidenti i Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi, presidenti i Indonezisë Prabowo Subianto, kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed Ali, princi i kurorës i Abu-Dabit të Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Khaled bin Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ministrat e jashtëm të Brazilit dhe Arabisë Saudite, udhëheqës ose përfaqësues të vendeve partnere dhe të ftuara të BRICS-it, si edhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Në këtë sesion presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim me titull “Konsolidimi i themeleve të bashkëpunimit të BRICS-it dhe fuqizimi i Jugut Global.”
Ndër të tjera ai vuri në dukje që aktualisht bota po kalon ndryshime të përshpejtuara, ndërsa ngritja kolektive e Jugut Global është bërë një forcë kyçe për promovimin e shumëpolarizimit global. Në të njëjtën kohë, situata ndërkombëtare është e ndërthurur dhe e turbullt, me rreziqe dhe sfida të ndryshme që shfaqen njëra pas tjetrës.
Presidenti kinez theksoi se vendet e Jugut Global duhet të mbrojnë së bashku sundimin e ligjit dhe të respektojnë barazinë sovrane, mosndërhyrjen në punët e brendshme, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe normat e tjera themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke siguruar zbatimin e barabartë të ligjit dhe rregullave ndërkombëtare dhe duke shmangur standardet e dyfishta.
