Mexhiti e Kasami të parët urojnë Kurtin për zgjedhjen e Qeverisë së katërt

Nga Xh M
61 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 gusht Zhurnal.mk – Bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe formimin e Qeverisë së tij të katërt.

Mexhiti dhe Kasami, përmes një reagimi të përbashkët, e kanë cilësuar Kurtin mik dhe kanë shprehur pritshmëri për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“E uroj mikun tim Albin Kurti për rizgjedhjen si Kryeministër i Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Ata theksuan se në periudhën e ardhshme dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh, me fokus të veçantë në projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe në ndërtimin e së ardhmes evropiane të rajonit.

“Institucionet stabile të ndërtuara mbi vullnetin e sovranit janë garancioni më i mirë për qeverisje të përgjegjshme, të guximshme dhe të vendosur për të ndërtuar shtetin mbi themele të fuqishme dhe të qëndrueshme”, shkruajnë Mexhiti dhe Kasami.

Në reagimin e tyre, dy bashkëkryetarët e VLEN-it kanë shprehur gjithashtu mbështetje për Kosovën në lidhje me proceset që lidhen me luftën çlirimtare dhe Gjykatën Speciale në Hagë.

“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica”, thuhet në reagim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër