Tetovë, 14 shtator Zhurnal.mk – Në shkollat e Tetovës këtë vit numri i përgjithshëm i nxënësve është ulur për 20. Megjithatë, derisa në malësinë e Tetovës numri i nxënësve po bie vazhdimisht, në shkollat e vetë qytetit ai po shënon rritje.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës bëjnë të ditur se në shkollën “Kirili dhe Metodi” janë gjithsej tri klasa të para. Edhe pse prej vitesh kërkohet një paralele shtesë, miratimi nga organet kompetente nuk po merret.
“Posedojmë shkollën e mesme, shkollën fillore komunale Kirili dhe Metodi, ku klasat janë përplot, domethënë të gjitha klasat gati e kanë arritur numrin 30, kështu që vazhdimisht kërkojmë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës pëlqim, kemi kërkesë për pëlqim për formimin e një paralele të re, por nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga ana e tyre”, tha Valedin Ademi – Sektori për Arsim.
Në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”, drejtoresha konfirmon se tri klasat e para kanë nga 30 nxënës. Ajo kujton se kërkesa të ngjashme janë dërguar edhe para pesë vitesh, çka ka bërë që sot klasat e pesta të kenë mbi 30 nxënës, duke vështirësuar dukshëm procesin mësimor.
“Gjithsej i kemi të regjistruar diku te 82 nxënës të shpërndarë në tre paralele, ku i vjen diku nga 29-30 nxënës në secilën paralele. Ne kërkesë kemi çuar, pasi kemi shumë numër të madh të nxënësve, madje edhe në vitin 2022-2023, ku atëherë kemi pasur diku rreth 120 nxënës, të shpërndarë në tre paralele, diku i vinte nga 40 nxënës, disa herë i kemi çuar kërkesë Ministrisë së Arsimit, me keqardhje nuk u pranua, domethënë nuk morëm pëlqimin e saj, dhe kjo klasë ka mbetur edhe sot e kësaj dite, janë 36-37 nxënës”, u shpreh Sihana Kaba Kasami – Drejtoreshë e SH.F “Kirili dhe Metodi”.
Situata në malësi paraqitet krejtësisht ndryshe. Këtë vit shkollor në fshatin Veshallë nuk pati asnjë nxënës të regjistruar dhe shkolla është mbyllur. Në Bozofcë janë vetëm tre nxënës, në Shipkovicë 10 nxënës në klasë të parë, ndërsa në Brodec vetëm pesë.
