Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën arrest me burg për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se përsëri Tirana është pa “kokë” dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq.
Por, sipas kryeministrit Rama, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen. “Dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli, madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë”, shtoi ai.
Por, Rama tha se përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur.
“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milion banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, u shpreh Rama.
