Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Shkolla fillore “Panajot Ginovski” në komunën e Butelit është një nga 30 shkollat në vend që po përfitojnë kushte cilësore për mësim në edukatë fizike dhe shëndetësore, si dhe për stërvitje sportive, përmes projektit për rehabilitimin e objekteve të edukatës fizike dhe furnizimin me pajisje sportive në shkollat fillore dhe të mesme. Projekti financohet bashkërisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB).
Në ngjarjen “Mëso, luaj, rritu”, ku u prezantuan rezultatet e projektit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, theksoi se partnerët ndërkombëtarë po ndihmojnë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke e cilësuar arsimin si një nga themelet e zhvillimit të çdo shoqërie.
“Shkolla duhet të jetë vend ku nxënësit ndihen të sigurt, të pranuar dhe të motivuar për të mësuar e zhvilluar potencialin e tyre të plotë”, tha Janevska, duke shtuar se në dy vitet e fundit janë realizuar ose janë në proces edhe 90 projekte të tjera infrastrukturore arsimore në shumë komuna.
Në aktivitet morën pjesë edhe euroambasadori Mihalis Rokas, ambasadorët e Italisë, Spanjës dhe Francës – Paolo Palmintieri, Rafael Soriano Ortiz dhe Christophe Le Rigoler, si dhe zëvendësguvernatori i Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Thomas Bocek. Ata shprehën kënaqësi për rezultatet e arritura dhe theksuan se investimet në arsim, veçanërisht në infrastrukturë, nuk duhet të ndalen.
Projekti i nisur në vitin 2024 pritet të përfundojë me të gjitha punimet ndërtimore, me një vlerë totale prej rreth 3 milionë euro.
