Tiranë, 17 shtator, Zhurnal.mk – Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën plenare, ku në rendin e ditës janë përfshirë pesë interpelanca si dhe 10 projektligje.
Gjatë seancës plenare janë parashikuar që të zhvillohen katër interpelanca urgjente të kërkuara nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ministrin e Punëve të Brendshme, ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro si dhe me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Në rend është përfshirë gjithashtu një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
Pas interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë disa projektligje.
Në rendin e ditës është projektligji për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të bërë në Hagë më 16 dhjetor 2025.
Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu projektligjin për ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.
Në rend është përfshirë edhe projektligji për pranimin e vendimit të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, që ndryshon nenin 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është edhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Për miratimin e këtij projektligji kërkohet shumicë e cilësuar votash.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin “Për disenjot”. Po ashtu do të shqyrtohet projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike”.
Në pjesën e fundit të rendit të ditës janë parashikuar tre projektvendime që lidhen me komisionet e përhershme të Kuvendit.
Deputetët do të votojnë për ndryshime në kryesitë e komisioneve, ndryshime në anëtarësinë e tyre, si dhe ndryshime në listën e anëtarëve zëvendësues.
