Shkup, 18 shtator, Zhurnal.mk – Gjykimi për rastin “Lotaria shtetërore” sot duhet të vazhdojë në Gjykatën Themelore Penale Shkup, pasi javën e kaluar autoriteteve iu dorëzua i akuzuari i parë, Përparim Bajrami, ish‑drejtor i Lotarisë shtetërore.
Bajrami, për të cilin ishte shpallur fletë‑arreste ndërkombëtare pasi e kishte lëshuar vendin, më 9 shtator u dorëzua vetë në vendkalimin kufitar “Bllacë”. Më pas u dërgua në burgun e Shkupit, ku e vuan masën e mëparshme të paraburgimit.
Në lëndë, përveç Bajramit, të akuzuar janë edhe ish‑zëvendëskryeministri Artan Grubi, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Në seancën e parë, të mbajtur javën e kaluar, të akuzuarit u deklaruan se nuk janë fajtorë. Bajrami atëherë nuk ishte i pranishëm sepse ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, ndërsa Avdiu tha se nuk e kupton aktakuzën dhe kërkoi që t’i dorëzohet në formë të shkruar në gjuhën e tij amtare, shqip.
Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024 të akuzuarit i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, me ç’rast, siç thuhet, është shkaktuar dëm ndaj “Lotarisë shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh.
