Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Një vit më parë, Komuna e Bërvenicës ishte kthyer në një nga arenat më të nxehta politike në vend. Edhe pse një komunë rurale, larg qendrave kryesore të vendimmarrjes, ajo u bë simbol i përplasjes së madhe politike mes pushtetit dhe opozitës. Sot, pas një procesi të gjatë të ngarkuar me sfida dhe zhvillime të papritura mund të thuhet se përtej emrave dhe partive politike, fituesit e vërtetë janë qytetarët e Bërvenicës. Zgjedhjet e përsëritura pas ndarjes nga jeta të kryetarit të zgjedhur nga VMRO-DPMNE vendosën sërish komunën në qendër të vëmendjes. Në raundin e dytë, qytetarët kishin para vetes dy alternativa dhe me votën e tyre vendosën t’ia besojnë drejtimin e komunës kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahiji. Ky rezultat nuk përfaqëson vetëm një ndryshim politik në nivel lokal, por edhe një mesazh të qartë se votuesit kërkojnë përfaqësues që do të jenë më pranë nevojave dhe interesave të tyre, shkruan Zhurnal.
VMRO pëson humbjen e parë pas marrjes së pushtetit
Edhe pse VMRO-DPMNE mbetet forca më e madhe politike në vend dhe prej më shumë se dy vitesh e gjysmë udhëheq me pushtetin qendror, beteja për Bërvenicën i solli humbjen e parë të rëndësishme zgjedhore pas ardhjes në qeveri.
Interesimi i qytetarëve në raundin e dytë ishte dukshëm më i lartë, çka tregon se zgjedhja mes kandidatit të VMRO-së dhe atij të AKI-së u perceptua si një garë me rëndësi të veçantë për të ardhmen e komunës. Mobilizimi i votuesve dëshmoi se qytetarët e kuptojnë peshën e votës së tyre dhe janë të gatshëm të marrin pjesë aktivisht kur bëhet fjalë për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
Rezultatet përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor tregojnë se kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, fitoi 4.442 vota, ndërsa kandidati i VMRO-së, Stojanço Radiçevski, mori 4.177 vota. Diferenca prej 265 votash dëshmon se gara ishte e fortë dhe se çdo votë pati peshën e saj në përcaktimin e fituesit.
Fitorja e Arkin Jahijit, fitore për opozitën dhe fitore për pushtetin
Pa dyshim, fitorja e Arkin Jahijit përfaqëson një sukses politik për opozitën. Në një periudhë kur pushteti qendror konsiderohet i konsoliduar dhe me ndikim të madh institucional, marrja e një komune si Bërvenica tregon se opozita ende ka kapacitet të bindë qytetarët dhe të fitojë besimin e tyre përmes alternativave që ofron.
Megjithatë, ky rezultat mund të konsiderohet një fitore edhe për pushtetin. Arsyeja është e thjeshtë pasi procesi zgjedhor dëshmoi se vullneti i qytetarëve u respektua dhe se rezultati nuk u përcaktua nga presione institucionale apo keqpërdorim i aparatit shtetëror. Në një shoqëri demokratike, aftësia e pushtetit për të pranuar humbjen në zgjedhje lokale është po aq e rëndësishme sa aftësia e opozitës për të fituar.
Prandaj, në fund të kësaj gare politike fituesit absolutë janë qytetarët e Bërvenicës. Ata treguan pjekuri demokratike, dolën masivisht në votime dhe përcaktuan vetë drejtimin që dëshirojnë për komunën e tyre. Tashmë pritjet janë të mëdha fushata ka përfunduar, ndërsa sfidat e zhvillimit mbeten. Bërvenica ka nevojë për më shumë investime në infrastrukturë, arsim, zhvillim ekonomik lokal, bujqësi dhe shërbime publike cilësore. Qytetarët e dhanë verdiktin e tyre dhe mandatin e tyre. Tani është koha që ky besim të shndërrohet në projekte konkrete dhe rezultate të prekshme.
Kujtojmë se, në demokraci fitorja më e madhe nuk është ajo e partive politike, por ajo e qytetarëve kur vota e tyre respektohet. Pikërisht kjo ndodhi në Bërvenicë për këtë arsye më shumë se një fitore e Arkin Jahijit apo një humbje e VMRO-së, këto zgjedhje do të mbahen mend si momenti kur fituan qytetarët e Bërvenicës. /Zhurnal.mk
