“Google” gjobitet me 403 milionë euro për shkelje të rregullave të privatësisë

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

“Google” është gjobitur me 403 milionë euro nga autoriteti irlandez për mbrojtjen e të dhënave, për shkelje të rregullave evropiane të privatësisë (GDPR).

Hetimi, i nisur rreth gjashtë vjet më parë, pas ankesave të organizatave evropiane të konsumatorëve, shqyrtoi mënyrën se si “Google” përdorte të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve.

Autoriteti irlandez, arriti në përfundimin se përdoruesit mund të mos kenë qenë të informuar qartë se të dhënat për vendndodhjen e tyre, mund të përdoreshin për reklama të personalizuara ose për të kuptuar interesat e tyre.

Hetimi mbuloi periudhën nga 25 maji 2018 deri më 4 shkurt 2020 dhe lidhej me shërbime si aktiviteti në internet dhe aplikacione, historiku i vendndodhjes dhe saktësia e vendndodhjes.

Përveç gjobës, “Google” është urdhëruar që brenda gjashtë muajve të ndryshojë mënyrën e përpunimit të të dhënave, në mënyrë që të jetë në përputhje me rregullat e GDPR-së.

Kjo është gjoba e katërt më e madhe, e vendosur nga autoriteti irlandez, që nga hyrja në fuqi e GDPR-së.

“Google” tha se çështja lidhet me politika të vjetra, të cilat sipas kompanisë janë ndryshuar që nga viti 2019.

Kompania theksoi se tani përdoruesit mund të vendosin, që të dhënat e tyre të fshihen automatikisht pas 3, 18 ose 36 muajsh dhe mund të çaktivizojnë reklamat e personalizuara.

“Google” tha gjithashtu se të dhënat e sakta të vendndodhjes në funksionin “Timeline” ruhen tashmë drejtpërdrejt në pajisjen e përdoruesit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër