Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti ka reaguar pas raportimeve për rënie e ndjeshme e numrit të fëmijëve që përfitojnë shtesat mujore gjatë muajve të fundit në Kosovë.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shpreh keqardhje për tendencën kaq të ulët të individëve dhe mediave të caktuara për ta sulmuar Qeverinë pikërisht në një prej pikave më të forta të saj: mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve.
Ai tha se: “Ua rikujtoj se Shtesat për Fëmijë janë realizuar pikërisht nga kjo Qeveri, prandaj është e papranueshme që, pa asnjë fakt, pa asnjë argument dhe pa i kushtuar as dy minuta leximit të legjislacionit në fuqi, të fabrikohen pretendime të paqena dhe të tentohet të ndërtohet një skandal aty ku institucionet thjesht po zbatojnë ligjin”.
Ai po ashtu theksoi se numri i përfituesve në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë është dinamik dhe ndryshon në vazhdimësi, si rezultat i zbatimit të kritereve të përcaktuara për këtë program dhe përditësimit të të dhënave të përfituesve.
“Në këto ndryshime ndikojnë një sërë faktorësh, përfshirë përfshirjen e fëmijëve të rinj në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit të përmbushjes së kritereve”.
Siç tha ai në rastet kur gjatë administrimit të programit nevojiten verifikime shtesë, pagesa mund të suspendohet deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
“Suspendimi gjatë procesit të verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit. Të gjitha vendimet lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të palëve”.
Rrjedhimisht, siç tha “diferenca ndërmjet numrit të përfituesve në muaj të ndryshëm nuk mund të konsiderohet në tërësi si numër i personave që kanë keqpërdorur programin dhe as të përkthehet automatikisht në dëm financiar. Çdo rast trajtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa aty ku eventualisht konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ministria do të vazhdojë administrimin dhe verifikimin e rregullt të programit, me qëllim që mbështetja të vazhdojë të ofrohet për të gjithë fëmijët që plotësojnë kriteret e përcaktuara”.
