Kosova importoi 568 milionë euro mallra më shumë sesa eksportoi në gusht

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Deficiti tregtar i Kosovës arriti në 568 milionë euro në gusht 2026, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Kjo është rritje prej 5,8% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur deficiti ishte 536,8 milionë euro.

Kjo i bie që Kosova bleu nga jashtë mallra në vlerë prej 568 milionë eurosh më shumë sesa shiti në tregjet e huaja gjatë po këtij muaji.

Eksportet e mallrave arritën në 100,5 milionë euro, ndërsa importet në 668,5 milionë euro. Krahasuar me gushtin 2025, eksportet u rritën për 31,9%, kurse importet për 9%. Me gjithë rritjen më të shpejtë të eksporteve, ato mbuluan vetëm 15% të importeve.

Vendet e CEFTA-s mbetën tregu kryesor për mallrat e Kosovës. Eksportet drejt tyre arritën në 50,5 milionë euro, ose 50,2% të totalit. Shqipëria zuri 24,8% të eksporteve të përgjithshme të Kosovës, ndërsa Maqedonia e Veriut 13,2%.

Në vendet e Bashkimit Evropian, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 30,3 milionë eurosh. Nga këto vende u importuan mallra në vlerë prej 279 milionë eurosh, ose 41,7% e importeve të përgjithshme.

Importet nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 313,3 milionë euro. Në këtë grup, pjesëmarrjen më të lartë në importet e përgjithshme e kishin Kina me 14% dhe Turqia me 11%.

Sipas ASK-së, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbënin 21,8% të eksporteve. Në importe, pjesëmarrjen më të madhe e kishin produktet minerale me 19,8%./kp/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër