Abdixhiku: Afrim Bunjaku, simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë.

Përmes një mesazhi, Abdixhiku ka vlerësuar lart sakrificën e Bunjakut, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë përballjes me grupin e armatosur serb që sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit.

“Afrimi nuk u tërhoq. Nuk u dorëzua. Ai qëndroi aty ku e kërkonte detyra dhe aty ku mbrohej Republika”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, Bunjaku dha jetën duke mbrojtur shtetin, qytetarët dhe sovranitetin e Kosovës.

Abdixhiku e ka cilësuar Bunjakun si simbol të institucioneve të Kosovës dhe të policëve që, sipas tij, nuk përkulen përballë dhunës.

“Sot, emri i Afrim Bunjakut është më shumë se një emër i skalitur në historinë e Policisë së Kosovës. Ai është simbol i shtetit që mbron qytetarët e vet, i institucioneve që nuk përkulen para dhunës dhe i një Kosove që nuk frikësohet nga askush”, thuhet në mesazhin e tij.

Kreu i LDK-së ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia për sulmin e Banjskës duhet të shkojë përtej autorëve të drejtpërdrejtë.

“Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë”, ka deklaruar Abdixhiku.

 “Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër