Nju Jork, 24 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar propozimin e presidentit rus Vladimir Putin për të zhvilluar bisedime në Moskë.
I pyetur disa herë nga një gazetar i televizionit shtetëror rus, se kur do të shkonte në Moskë, Zelensky u përgjigj me një shprehje vulgare në rusisht: “Me raketë, dreqin!” (duke nënkuptuar se ai do të shkonte në Moskë vetëm nëse do ta çonte atje një raketë).
Fjala ruse “blyad” përdoret për të shprehur zemërim, habi ose irritim dhe, në varësi të kontekstit, mund të përkthehet si “dreqin” ose “dreq”.
Deklarata u shpërnda gjerësisht në mediet ukrainase dhe ruse, ndërsa mediet ruse e censuruan fjalën fyese.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e ironizoi Zelensky lidhur me këtë deklaratë.
Bisedimet për luftën
Zelensky u takua dje me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ata diskutuan për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila nisi në shkurt 2022.
Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të takohet me Putinin për të diskutuar për përfundimin e luftës.
Putini ka thënë se një takim i tillë duhet të zhvillohet në Moskë, gjë që Zelensky e ka refuzuar.
Përveç arsyeve të sigurisë, Zelensky nuk dëshiron që një udhëtim në Moskë të krijojë përshtypjen se Ukraina po i nënshtrohet Rusisë.
