Një goditje e jashtëzakonshme në një nga pikat më të larta të Alpeve zvicerane ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness.
Ish-kikeri i New England Patriots, Adam Vinatieri, realizoi një field goal në një lartësi prej 11,317 këmbësh dhe 8 inçësh, ose rreth 3,454 metra mbi nivelin e detit.
Vinatieri e realizoi goditjen në Jungfraujoch, vendi i njohur si “Top of Europe”, në një sfidë të organizuar nga New England Patriots.
Goditja ishte nga 33 jardë dhe u realizua si pjesë e promovimit të ndeshjes së ardhshme të Patriots kundër Detroit Lions në Allianz Arena të Mynihut.
Me këtë goditje, Vinatieri vendosi rekordin botëror Guinness për field goal-in e realizuar në lartësinë më të madhe në historinë e futbollit amerikan.
“E ndien lartësinë me çdo frymëmarrje. Ritmi dhe rrahjet e zemrës ndryshojnë”, tha Vinatieri, duke shtuar se askush nuk mund ta dinte paraprakisht se si do të ndikonte lartësia në goditje.
Vinatieri, i cili u tërhoq nga Patriots në vitin 2021, tha se bora nuk ishte diçka e panjohur për të gjatë viteve me ekipin, por të realizonte një field goal në 3,454 metra lartësi ishte diçka krejtësisht tjetër.
“Fakti që arritëm ta vendosnim rekordin në këto kushte më bën shumë krenar. Ky është padyshim një nga field goal-et më të veçanta që kam realizuar”, tha ai.
