Editorial / A ka të drejtë LSDM që nuk e mbështet reformat në Kodin zgjedhor!

Nga R.ZH
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 tetor – LSDM në mënyrë kategorike është kundër reformave në kodin zgjedhor duke e vlerësuar këtë kërkesë si një diskutim për krim zgjedhor. LSDM thekson se me një parti pro-ruse si Levica, e cila është anti-NATO dhe anti-BE, nuk ulen për të bërë ndryshime zgjedhore. Por a ka të drejtë LSDM që e ndërpret këtë proces dhe çfarë është më e mira për shqiptarët në kuadër të Kodit Zgjedhor, shkruan “Zhurnal.mk”.

Cilat janë vërejtjet e LSDM-së!

Vërejtjet kryesore të LSDM-së lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor fokusohen në tre pika kyçe, të cilat partia i konsideron si jodemokratike dhe të dëmshme për procesin zgjedhor.

Vërejtja më serioze e partisë ka të bëjë me propozimin për vendosjen e votimit elektronik për mërgimtarët. Sipas LSDM-së, kjo zgjidhje krijon hapësirë serioze për manipulime zgjedhore, duke e quajtur atë një sistem për “vjedhjen e 200.000 votave nga diaspora” sipas modelit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Partia vlerëson se ky model do të krijonte një sistem votimi të kontrolluar nën ndikimin e pushtetit.

LSDM gjithashtu kundërshton ashpër shfuqizimin e Qeverisë teknike pa një konsensus të gjerë paraprak. Sipas partisë, heqja e qeverisë teknike në këtë moment paraqet një “manierë autokratike” që prish balancën e kontrollit në periudhën parazgjedhore dhe zvogëlon garancitë për zgjedhje të drejta.

Partia kushtëzon mbështetjen e saj për miratimin e ligjit me përfshirjen e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane, sidomos ata të injorimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ata vlerësojnë se propozimi i shumicës qeverisëse devijon nga këto parime dhe e tjetërson vullnetin e qytetarëve në favor të matematikave politike të VMRO-DPMNE-së.

Për këto arsye, LSDM-ja më parë u largua nga grupi ndërpartiak i punës për reforma në legjislacionin zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë dhe dorëzoi rreth 9.500 amandamente në Kuvend me qëllim bllokimin e miratimit të tekstit të propozuar, shkruan “Zhurnal.mk”.

A ka të drejtë LSDM në këtë që e kërkon?

Nëse i analizojmë një nga një këto dsyhime të partive opozitare, atëherë mund të shohim se secila palë ka arsyet e veta pozitive dhe vërjetjet e tyre me vend.

Sa i përket votimit elektronik për diasporën, sistemet e votimit elektronik globalisht përballen me rreziqe të larta të sigurisë kibernetike, hakerimit dhe vjedhjes së votave. Gjithashtu, është e vështirë të garantohet se votuesi jashtë vendit po voton i lirë dhe pa presione familjare apo të rrethit. Ndërkaq, lehtësia e këtij procesi është se votimi tradicional nëpër ambasada ka qenë jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe joefikas. Votimi elektronik u mundëson qindra mijëra mërgimtarëve të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese pa shpenzuar kohë dhe para për të udhëtuar drejt qendrave diplomatike.

Sa i përket qeverisë teknike, ky mekanizëm u krijua me ndërmjetësim ndërkombëtar për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore nga partia në pushtet gjatë fushatave. Fatkeqësisht, shumë ekspertë dhe partia në pushtet vlerësojnë se ky model po i bllokon institucionet për muaj të tërë dhe se vendi ka maturi të mjaftueshme demokratike për të organizuar zgjedhje pa pasur nevojë për qeveri teknike.

Ndërkaq, sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, qeveria deklaron se pjesa më e madhe e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it tashmë janë përfshirë në tekst, ndërkaq LSDM kërkon të përfshihen të gjitha rekomandimet.

Partitë shqiptare s’dinë se çfarë të mbështesin

Ndryshimet në Kodin zgjedhor përveç pikave ku përplasen LSDM dhe VMRO DPMNE, çështje me rëndësi është edhe formimi i Maqedonisë së Veriut nga gjashtë në një njësi zgjedhore.
Aktualisht, ky propozim është i bllokuar për shkak të mungesës së një konsensusi të plotë ndërmjet blloqeve të mëdha politike, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme midis partive maqedonase dhe atyre shqiptare.

LSDM-ja e ka pasur në programin e saj politik kalimin në një njësi zgjedhore, por insiston që ky ndryshim i madh i “rregullave të lojës” nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, por duhet të miratohet me konsensus të plotë nga të gjitha subjektet politike në vend.

VMRO-DPMNE-ja është shprehur parimisht e gatshme për të mbështetur modelin me një njësi zgjedhore, por shpesh ia lënë përgjegjësinë e bllokimit partive të bllokut shqiptar.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbetet kundërshtari më i zëshëm i modelit me një njësi zgjedhore, duke mbrojtur qëndrimin që vendi duhet të qëndrojë me gjashtë njësi zgjedhore. Nëse ka një presion të madh për të pranuar një njësi, BDI-ja kërkon që të vendoset një prag i lartë zgjedhor prej 5%., dhe me këtë do të parandalonte partitë e vogla qoftë shqiptare dhe maqedonase të hyjnë në Parlament.

Ngjashëm me BDI-në, shumica e partive të bllokut shqiptar VLEN nuk e shohin me sy të mirë një njësi zgjedhore.

Për partitë më të vogla si E Majta, ZNAM, apo partitë e komuniteteve më të vogla si romët, turqit, serbët, një njësi zgjedhore është kërkesë jetike.

Prandaj, dallimet në pikëpamjet politike nuk duhet të jenë pengesë për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe krijimin e legjislacionit zgjedhor që do të jetë i qëndrueshëm, i parashikueshëm, transparent dhe në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër