Çfarë nënkupton modeli me një njësi zgjedhore për shqiptarët në RMV?

Nga I.A
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor – Debati për reformën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut është rikthyer me intensitet, ku dje në Ministrinë e Drejtësisë përfaqësues të partive politike u grumbulluan për të diskutuar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Duke vënë në qendër të diskutimit një model që në pamje të parë mund të duket më demokratik një njësi zgjedhore për të gjithë territorin. Por për shqiptarët, ky model paraqet një rrezik real për përfaqësimin e tyre të drejtë dhe proporcional në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.

Një njësi zgjedhore është një barazi formale e padrejtësi reale –

Propozimi për një njësi zgjedhore synon të krijojë një “barazi” formale për të gjithë votuesit, por në praktikë krijon pabarazi strukturore për shqiptarët. Shtrirja gjeografike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është e përqendruar kryesisht në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore të vendit, Pollogu, Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Kërçova ndërkohë që rajonet lindore dhe juglindore të vendit, janë të dominuara nga maqedonasit dhe kanë përqindje simbolike të popullatës shqiptare.

Në një njësi zgjedhore, ku votat llogariten në nivel republikan, vota e një qytetari shqiptar në Strugë apo Tetovë mund të peshojë më pak sesa ajo e një qytetari në Shtip apo Veles, për shkak të shumicës etnike në ato rajone dhe fuqisë më të madhe që partitë maqedonase do të kenë për të mobilizuar votuesit në zona me dominancë absolute etnike. Si pasojë, shqiptarët do të dalin të nën-reprezentuar, edhe pse përbëjnë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme.

Ziadin Sela: “Një njësi zgjedhore dëmton shqiptarët” –

Këtë shqetësim e ka artikuluar qartë edhe Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët çdoherë që është pyetur për këtë çështje. E një nga përgjigjet e tij është kësisoji.

“Jemi kundër sistemit zgjedhor me një njësi zgjedhore sepse dëmtohen shqiptarët. Shqiptarët nuk janë pjesë e popullatës në zonën lindore të shtetit dhe nuk mund të kontrollohet procesi.”

Sipas tij, zgjidhja më e drejtë mbetet ruajtja e modelit me tetë njësi zgjedhore, i cili, pavarësisht mangësive, garanton një ndarje më të balancuar gjeografike të përfaqësimit. Me këtë model, Shkupi do të siguronte rreth 30 deputetë dhe Pollogu rreth 22, çka ruan peshën reale të shqiptarëve në politikën vendimmarrëse.

VMRO-DPMNE është për një njësi zgjedhore, por vetëm me një kusht?

“Nëse partitë politike arrijnë të merren vesh dhe të arrijnë konsensus të përgjithshëm që vendi të jetë një njësi zgjedhore, VMRO-DPMNE nuk do të ketë problem ta mbështesë atë zgjidhje”, deklaroi deputeti Antonijo Milloshoski.

Ai rikujtoi se partia edhe në bisedimet e kaluara e ka përfaqësuar këtë qëndrim, i cili atëherë është ndarë edhe nga subjekte të tjera politike, por deri te marrëveshja nuk erdhi për shkak të propozimeve të kundërta nga disa parti.

“Ne edhe në bisedimet e mëparshme si VMRO-DPMNE e shprehëm qëndrimin tonë se jemi për një njësi zgjedhore dhe më shumë parti e ndanin këtë qëndrim. Por, për fat të keq, dy-tri opsione politike ishin kundër disat propozuan tetë njësi zgjedhore, një parti tjetër politike propozoi tre njësi zgjedhore, ndërsa BDI propozoi prag të lidhur prej pesë përqind si kusht për një njësi zgjedhore. Ishte e dukshme se është e vështirë të arrihet konsensus. Nëse arrihet konsensus, ne nuk kemi asnjë problem që të ketë një njësi zgjedhore”, theksoi Milloshoski.

Nga ana tjetër, BDI është për një njësi zgjedhore me kusht të vendosjes së pragut prej 5%, derisa nga VLEN akoma një qëndrim të qartë.

Kujtojmë që një njësi zgjedhore përbën gjithashtu një rrezik për partitë shqiptare më të vogla, të cilat mund të mos arrijnë pragun nacional të përfaqësimit dhe kësisoj të fshihen nga harta parlamentare. Në mënyrë të paradoksale, një sistem që premton pluralizëm dhe konkurrencë të lirë, mund të shërbejë si mekanizëm për konsolidimin e dominimit të partive maqedonase. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër