Komandat zanore po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në automjetet moderne, por aftësia e tyre për të kuptuar dhe ekzekutuar kërkesat e shoferit ndryshon ndjeshëm nga një model te tjetri.
Klubi gjerman i automobilizmit ADAC ka testuar komandat zanore në 40 modele automjetesh, duke shqyrtuar se sa mirë mund të kontrollohen funksionet e sistemit multimedial, klimës dhe disa funksioneve të sigurisë.
Në mesin e modeleve të testuara, BMW Seria 5 pati një nga rezultatet më të mira. Automjeti arriti të ekzekutonte 16 nga 18 komandat e dhëna gjatë testimit.
Në total, 16 nga 40 automjetet e testuara morën vlerësimin “mirë”. Rezultatet më të mira u regjistruan në kategorinë e sistemit multimedial, ku përfshihen navigacioni dhe radioja. Në këtë kategori, 35 automjete morën vlerësimin “mirë” ose “shumë mirë”.
Komandat zanore rezultuan më pak të suksesshme në kontrollin e klimës. Megjithatë, 26 modele arritën rezultate të mira ose shumë të mira edhe në këtë kategori, përfshirë komandat për ndryshimin e temperaturës në kabinë.
Situata ishte dukshëm më e dobët sa u përket funksioneve të sigurisë dhe sistemeve të asistencës së shoferit. Në këtë kategori, 32 automjete morën vlerësim të pamjaftueshëm, pasi shumë prej tyre nuk lejonin kontrollin zanor të funksioneve si aktivizimi i sinjalizuesve të emergjencës apo disa paralajmërime të sigurisë.
Në fund të renditjes u pozicionua Suzuki e-Vitara, e cila ekzekutoi vetëm tri nga 18 komandat e testuara. Edhe Dacia pati rezultate të dobëta, pasi butoni për komandat zanore në timon shërben kryesisht për kontrollin e telefonit të lidhur.
ADAC thekson se komandat zanore mund të jenë veçanërisht të dobishme për funksione si navigacioni dhe radioja, pasi shoferi nuk ka nevojë të largohet me vëmendje nga rruga për të përdorur ekranin.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se komandat zanore nuk mund të zëvendësojnë plotësisht butonat fizikë, sidomos për funksionet e sigurisë që duhet të aktivizohen shpejt dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
