Ministria e Financave: Prokuroria hodhi poshtë kallëzimin e Komunës së Prishtinës për bllokimin e buxhetit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Financave ka bërë të ditur se ka pranuar njoftimin nga Prokuroria lidhur me kallëzimin penal të bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, me pretendimin se buxheti i komunës ishte bllokuar nga Ministria.

Përmes një postimi në Facebook, Ministria ka thënë se kallëzimi penal është hedhur poshtë, duke vlerësuar se kjo dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës kanë qenë të pabazuara.

“Ministria e Financave ka pranuar njoftimin nga prokuroria se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës me pretendimin e pabazë se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, “kjo edhe njëherë e dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës ishin të pavërteta, dhe se stafi i Ministrisë së Financave çdoherë vepron në përputhje me ligjin”.

Ministria ka rikujtuar se Komuna e Prishtinës kishte dorëzuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, disa muaj pas afatit ligjor dhe pasi Ligji i Buxhetit ishte miratuar nga Kuvendi.

“Rikujtojmë për publikun se Komuna e Prishtinës ishte vonuar në dorëzimin e buxhetit të vitit 2025, duke e dorëzuar me disa muaj vonesë përtej afatit ligjor, dhe pasi Ligji i Buxhetit ishte miratuar nga Kuvendi”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo vonesë kishte rezultuar në mos-përfshirjen e buxhetit komunal në Ligjin e Buxhetit, duke pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të tij.

Në këtë kontekst, Ministria pretendon se udhëheqësia e Komunës së Prishtinës kishte ngritur akuza ndaj stafit të saj për bllokim të qëllimshëm të buxhetit dhe për këtë kishte dorëzuar edhe kallëzim penal.

“Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza, dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale”, thuhet në fund të njoftimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër