Korçë, 3 tetor Zhurnal.mk – Policia e Korçës ka reaguar pas rastit të gjashtë fëmijëve që u paraqitën në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale, pas ushqimit të konsumuar në të njëjtin kopsht.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar penalisht, në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një mjeke të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës dhe drejtoreshën e kopshtit ku qëndronin fëmijët.
Policia bën me dije se gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.
Sipas uniformave blu, mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për paraqitjen e fëmijëve me simptoma të ngjashme.
Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
