Sofja hesht – edhe një ditë për të vendosur nëse do ta presë Mucunski

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Sofja ende nuk i është përgjigjur kërkesës zyrtare për takim mes ministrave të Jashtëm, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova-Çamova, të cilën Shkupi e ka dërguar më 2 tetor. Koha për një marrëveshje po ngushtohet, pasi konferenca ndërkombëtare për Korridorin 8 në Sofje nis më 7 tetor.

Kryeministri Hristijan Mickoski sot konfirmoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka dërguar kërkesën, por nga pala bullgare deri tani nuk ka përgjigje.

“E luta ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të kërkojë një takim. Ai ende nuk e bëri këtë. Ende nuk kemi përgjigje”, tha Mickoski.

Kërkesa u dërgua pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup. Ajo e këshilloi Mickoskin që vizita e ardhshme e Mucunksit në Sofje të shfrytëzohet për një bisedë të drejtpërdrejtë me ministren bullgare, si hap i parë drejt përpjekjeve për zhbllokimin e procesit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Konferenca për Korridorin 8 është planifikuar për 7 dhe 8 tetor, ndërsa në të pritet të marrin pjesë ministra dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe rajonale. Kjo do të thotë se koha për arritjen e një marrëveshjeje në kohë për takimin dypalësh po ngushtohet.

Nga Sofja, megjithatë, vijnë sinjale se dera për dialog nuk është e mbyllur. Presidentja bullgare Ilijana Jotova deklaroi se Bullgaria është e gatshme për bisedime, por pa, siç tha ajo, ultimatume dhe pa devijuar nga korniza evropiane. Ajo paralajmëroi gjithashtu se do të kërkojë të shohë notën diplomatike me të cilën Mucunski ka kërkuar takimin.

Qëndrimi zyrtar i deritanishëm i Ministrisë së Jashtme bullgare është se përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së duhet të zhvillohet në kuadër të konsensusit evropian të vitit 2022. Të njëjtin qëndrim Petrova e përsëriti edhe gjatë një takimi të mëparshëm me Mucunksin në maj të këtij viti.

Në këtë kontekst, një takim eventual në Sofje do të ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë pas mesazhit të Ursula von der Leyen se të dyja palët duhet të rikthehen në dialogun e drejtpërdrejtë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër