Krijohet për herë të parë Këshilli i ish-Kryetarëve të Kuvendit, Gashi: “Hap i rëndësishëm për vazhdimësinë institucionale”

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka nënshkruar vendimin për formimin e Këshillit të ish-Kryetarëve të Kuvendit, një organ që, sipas tij, krijohet për herë të parë në historinë e Kuvendit me qëllim ruajtjen e kujtesës dhe vazhdimësisë institucionale.

“Me kënaqësi të veçantë nënshkrova vendimin për formimin e Këshillit të ish-Kryetarëve të Kuvendit, një organ që po krijohet për herë të parë në historinë e Kuvendit, si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës dhe të vazhdimësisë institucionale.

Me këtë Këshill synojmë që përvoja e akumuluar ndër vite të shndërrohet në një vlerë të dobishme për Kuvendin e sotëm. Ish-Kryetarët e Kuvendit kanë mbartur përgjegjësi të rëndësishme në momente të ndryshme të zhvillimit të demokracisë parlamentare në vendin tonë. Kujtesa institucionale dhe njohja e proceseve parlamentare përbëjnë një pasuri që meriton të ruhet, të dëgjohet dhe të përcillet.

Këshilli i ish-Kryetarëve do të jetë një hapësirë për dialog dhe këshillim, duke respektuar plotësisht mandatin e institucioneve aktuale.

Në takimin e sotëm, së bashku me ish-Kryetarët Tito Petkovski, Nikolla Popovski, Trajko Veljanovski dhe Jovan Mitrevski, i dhamë jetë kësaj nisme, e cila ka marrë mbështetjen edhe nga ish-Kryetarë të tjerë.

Mbetemi të angazhuar të punojmë së bashku për një Kuvend që respekton të kaluarën, forcon të tashmen dhe ndërton të ardhmen”, ka shkruar Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër