Kumbaro: Universiteti i Tiranës renditet në Times Higher Education World University Rankings 2027

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Për herë të parë, një universitet shqiptar renditet në Times Higher Education World University Rankings, një nga klasifikimet më të njohura globale të universiteteve.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro shprehu mirënjohjen për pedagogët, studiuesit, studentët dhe gjithë komunitetin e Universitetit të Tiranës për punën në forcimin e cilësisë akademike, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.

Kumbaro tha se “6 universitete të tjera shqiptare mbajnë statusin “Reporter” në këtë klasifikim, një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së tyre në renditjet ndërkombëtare”.

“Ky rezultat është një arsye për të vlerësuar punën e bërë, por edhe një nxitje që cilësia, kërkimi shkencor dhe ndërkombëtarizimi të vijojnë të forcohen në çdo universitet shqiptar”, tha Kumbaro.

Universiteti i Tiranës renditet në grupin 2001+ të universiteteve të renditura në nivel global, në një edicion të THE World University Rankings që përfshin universitete nga 118 vende dhe territore në mbarë botën.
Ky rezultat është më shumë se një përfshirje në një renditje ndërkombëtare. Ai përfaqëson vlerësimin ndërkombëtar të një pune të gjatë, intensive dhe të qëndrueshme, të ndërtuar ndër vite në funksion të cilësisë akademike, kërkimit shkencor, zhvillimit institucional dhe rritjes së profilit ndërkombëtar të Universitetit të Tiranës.
Pas këtij rezultati qëndron një proces i vazhdueshëm pune për forcimin e kërkimit shkencor, rritjen e kapaciteteve akademike, zhvillimin institucional, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve dhe të dhënave që pasqyrojnë performancën e institucionit.
Në këtë rrugëtim, Universiteti i Tiranës ka ndërtuar një portofol të gjerë projektesh të financuara nga donatorë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, si koordinator dhe partner në projekte dhe programe të rëndësishme, përfshirë Horizon Europe, Erasmus+ KA2 dhe INTERREG. Këto angazhime kanë zgjeruar mundësitë për kërkim shkencor, inovacion, mobilitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër