Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Eridana Çano deklaroi se Shqipëria po forcon gatishmërinë institucionale për një fazë të re të integrimit europian, duke kaluar nga reformat te rezultatet.
Çano e cila është njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për instrumentin e Facilitetit për Refoma dhe Rritje, mori pjesë në punimet e forumit “Tirana Connectivity Forum 2026”, së bashku me Bojan Vujović, Koordinator Kombëtar për Axhendën e Reformave në Malin e Zi.
Çano theksoi se dy vitet e zbatimit të instrumentit të Facilitetit për Refoma dhe Rritje (RGF) kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm nga përmbushja e aktiviteteve drejt rezultateve të matshme, evidencës, përgjegjësisë institucionale dhe verifikimit të pavarur.
Sipas saj, “Shqipëria, për paketën e 3-të të raportimit zyrtar ka vlerësuar 38 hapa reformash si të përmbushura, me rreth 215 milionë euro financim të lidhur me to”.
Ndërkohë, Çano theksoi se disbursimet totale të dy paketave të mëparshme të raportimit si dhe fondet e parafinancimit kanë arritur në 212.8 milionë euro.
“Mesazhi për instrumentet e ardhshme të BE-së ishte i qartë: më shumë koherencë, parashikueshmëri dhe fleksibilitet, me rezultate dhe llogaridhënie të panegociueshme”, u shpreh ajo.
