Fitore për Melonin, miratohet reforma zgjedhore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Romë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Deputetët italianë miratuan sot reformën e diskutueshme të sistemit zgjedhor, duke i dhënë një fitore të rëndësishme qeverisë së kryeministres, Giorgia Meloni.

Projektligji, i cili mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen politike të Melonit, kaloi votimin përfundimtar në Dhomën e Deputetëve me 227 vota pro dhe 164 kundër.

Meloni e kishte kthyer reformën, e cila ishte miratuar nga Senati në shtator, në një provë për mbështetjen që gëzon qeveria e saj.

Ajo kishte paralajmëruar se dështimi i reformës mund të çonte në zgjedhje të parakohshme.

Sipas sistemit të propozuar, çdo parti që merr të paktën 42% të votave do të përfitojë vende shtesë në parlament për të siguruar shumicën.

Nëse bëhet fjalë për një koalicion të ri, ai do të marrë 70 vende shtesë në Dhomën e Deputetëve dhe 35 vende shtesë në Senat.

Kjo do t’i mundësonte forcës politike që fiton zgjedhjet, të ketë shumicën e nevojshme për të qeverisur, edhe nëse ka marrë më pak se 50% të votave.

Arsyetimi i qeverisë është se shumica e votave, do të ndihmonte që Italia të mos rikthehej te qeveritë që zgjasin vetëm për periudha të shkurtra.

Koalicioni me tre parti i drejtuar nga Meloni, është tashmë qeveria që ka qëndruar më gjatë në pushtet në historinë e Italisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë në pushtet për pothuajse katër vjet.

“Kush fiton zgjedhjet duhet të jetë në gjendje të qeverisë dhe kush zgjidhet duhet t’u japë llogari votuesve që e kanë zgjedhur”, shkroi Meloni në rrjetin X.

Sipas saj, qeveritë e qëndrueshme dhe pjesëmarrja më e madhe e qytetarëve, sjellin më shumë vazhdimësi, përgjegjshmëri dhe aftësi për t’u dhënë italianëve përgjigje konkrete.

Opozita e majtë e akuzoi Melonin se po përpiqet të krijojë një avantazh për partinë e saj, “Vëllezërit e Italisë”, e cila është një parti e krahut të djathtë radikal.

Votimi përfundimtar u prit me shumë interes. Të martën dhe të mërkurën, tre votimet e mëparshme të besimit për nene të veçanta të ligjit zgjedhor, u zhvilluan me votim nominal.

Ndërsa votimi përfundimtar u zhvillua me votim të fshehtë. Për këtë arsye, opozita shpresonte që disa deputetë të koalicionit qeverisës, të mos e mbështesnin reformën.

Përpjekja e Melonit për të ndryshuar ligjin zgjedhor, kishte dështuar në votimin e parë në korrik, pavarësisht se koalicioni i saj ka një shumicë të qëndrueshme në parlament.

Megjithatë, reforma mund të përballet ende me kundërshtime në gjykatë.

Sipas raportimeve, ekspertët e ligjit i referohen vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka ndaluar ndryshime që mund të shtrembërojnë në mënyrë të tepruar, rezultatin e zgjedhjeve në favor të forcës që fiton.

Zgjedhjet e përgjithshme në Itali duhet të zhvillohen deri në fund të vitit 2027.

Megjithatë, pas miratimit të kësaj reforme, tashmë po merret në konsideratë edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër